Dalja në pension është shpeshherë e kuptuar si momenti kur individët largohen nga tregu i punës, duke u fokusuar më shumë në aktivitete personale dhe pushim.
Megjithatë, në Shqipëri ky fenomen merr një formë ndryshe, duke sfiduar pritshmëritë e zakonshme.
Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, të kryqëzuara me ato të Eurostat, Shqipëria ka një normë të lartë të pensionistëve që vazhdojnë të mbeten aktivë në forcat e punës.
Në fakt, rreth 16.6% e popullsisë shqiptare, ose 1 pensionist në 6 janë ende të angazhuar në marrëdhënie pune, një shifër që e pozicionon Shqipërinë në mesin e vendeve me shkallën më të lartë të pensionistëve që vazhdojnë të kontribuojnë në tregun e punës.
Sipas të dhënave nga Eurostat, vetëm 13% e pensionistëve në BE vazhdojnë të punojnë pas daljes në pension.
E thënë ndryshe, norma e pensionistëve të punësuar në Shqipëri është rreth 3.6% më e lartë se mesatarja e këtij treguesi në vendet e Bashkimit Europian.
Sipas Eurostat, 36.6% e pensionistëve që vazhdojnë të punojnë në Europë, shprehen se e bëjnë këtë për kënaqësinë dhe dëshirën për të mbetur produktivë, duke e konsideruar punën si një mundësi për të kontribuar në shoqëri dhe për të qenë të angazhuar.
Megjithatë, në Shqipëri, shumica e individëve mbi moshën 65 vjeç vazhdojnë të punojnë për shkak të nevojës financiare, me qëllim që të mbulojnë shpenzimet e përditshme dhe të përballojnë sfidat ekonomike që lidhen me kostot e larta të jetesës.
LEXO EDHE: Kriza e pensioneve/ Ponari: Ja avantazhet e një “Kolone të dytë” të detyrueshme