Në vitin 2024, kompanitë e sigurimeve në Britani paguan gjithsej 1.23 miliardë paund për të trajtuar kafshët e sëmura dhe të lënduara, sipas Shoqatës së Siguruesve Britanikë (ABI).
Kjo është një rritje prej 4% krahasuar me vitin 2023 dhe është viti i tretë radhazi që shifra kalon 1 miliard paund.
Këto pagesa rekord lidhen kryesisht me rritjen e tarifave të veterinerëve. Ky është shëndrruar në shqetësim të përbashkët mes siguruesve dhe publikut.
Autoriteti për Konkurrencën dhe Tregjet (CMA) në Britani zbuloi se çmimet e trajtimeve janë rritur me 60% nga viti 2015 deri më 2023, ndërkohë që inflacioni për shërbimet në përgjithësi u rrit vetëm me 35%.
Sipas të dhënave më të fundit të ABI, vitin e kaluar u bënë 1.8 milion kërkesa për dëmshpërblim për kafshët – një rekord i ri, që i bie rreth 4,900 kërkesa në ditë.
Nga 1.23 miliardë paund të paguara, rreth 76% ishin për qentë (£933 milion), 19% për macet (£232 milion) dhe 5% për kafshët e tjera (£61 milion).
Vizitat tek veterineri në Perëndim e sidomos në Britani konsiderohen shumë të shtrenjta.
Kostot për barna apo pajisje diagnostikuese janë arsyet kryesore të këtyre shifrave të larta, rekord.
Trajtimi i një sëmundjeje serioze si displasia e bërrylit, e zakonshme te qentë e mëdhenj, në Britani mund të kushtojë mbi £50,000.
Kur kafshët përtypin gabimisht çokollatë apo ndonjë objekt të vogël, trajtimi mund të kushtojë rreth £4,000.
Në shtator 2023, CMA nisi një hetim mbi industrinë veterinare, sepse kishte shqetësime se pronarët e kafshëve nuk po marrin shërbime me çmime të drejta. U zbulua se kostot po rriteshin më shpejt se inflacioni.
Autoriteti shqetësohet se klientët nuk marrin informacion të qartë për çmimet dhe mundësitë e trajtimit kur zgjedhin një veteriner. Pas një konsultimi publik me 56,000 përgjigje, janë propozuar disa ndryshime, si:
-
Vendosja e kufijve të çmimeve për ilaçet dhe shërbime si kremacioni;
-
Ndalimi i bonuseve për veterinerët që zgjedhin disa trajtime të caktuara;
-
Heqja e politikave që kufizojnë lirinë e veterinerëve për të zgjedhur trajtimin më të mirë për kafshën, protokolle publike të qarta;
-
Shfaqja çmimeve online për ilaçet, operacionet dhe ndihmën jashtë orarit.
Tani CMA do të shqyrtojë rezultatet e një konsultimi që bëri muajin e kaluar me profesionistët veterinarë.
Një ndër grupet e interesit më të interesuara për zgjidhjen e kaosit me çmime dhe shpenzimet rekord ishin pikërisht siguruesit.