Ngjarja tragjike e ditëve të fundit, ku një biznesmen italian humbi jetën pas një ndërhyrjeje mjekësore në një klinikë private shqiptare, tronditi opinionin publik dhe riktheu në vëmendje një problem thelbësor të legjislacionit shqiptar: mungesën e një mekanizmi ligjor për rregullimin e përgjegjësisë profesionale.
Edhe më herët, Sigurime.Online ka theksuar nevojën për rregullimin e ligjit të përgjegjësive, në mënyrë që viktimat e pasojave të padëshiruara, aksidentale apo si pasojë e gabimeve profesionale, gjatë ushtrimit të profesionit nga profesionisti, të kenë një kuadër të qartë ligjor dhe financiar më së pakti për kompensimin e dëmit.
Rasti ngre pyetje konkrete: a ishte klinika e siguruar? Sipas informacioneve paraprake, jo. A do të kompensohet familja e viktimës? Gjasat janë, por vetëm pas një procesi të gjatë gjyqësor dhe nëse klinika dëshmon aftësitë paguese.
A i ka këto aftësi paguese çdo klinikë në vend, apo, nëse klinika tërhiqet nga përgjegjësia dhe ia lë atë individit, mjekut, a i ka çdo profesionist këto mundësi? Rastet e vdekjeve janë një barrë financiare e jashtëzakonshme, shpesh bllokuese dhe shkatërruese, për bizneset, e patjetër që thuajse e paarritshme për individët profesionistë.
Në mungesë të sigurimit, rreziku i falimentit për klinikën dhe pasiguria për të patur dëmshpërblimin e drejtë financiar për familjen janë reale. Në rast se përgjegjësia financiare e dëmshpërblimit i zbret individualisht mjekut, edhe më e madhe bëhet pasiguria e pothuajse e sigurt, pamundësia.
Me sigurim përgjegjësie, siguruesi kompenson të dëmtuarin
Ndërsa me sigurim përgjegjësie profesionale, kompensimi do të ishte i menjëhershëm, transparent dhe pa barrë financiare shkatërruese për palët. Siguruesi do të aktivizohej menjëherë, sapo të dokumentohej se vdekja e pacientit ka ardhur si pasojë e gabimit protokollar në mjekim.
Profesionistët nuk janë robotë, gabojnë, por a e dini që në perëndim edhe përgjegjësia robotike po sigurohet?
Mjekët, ashtu si çdo profesionist tjetër, nuk janë robotë. Ata punojnë nën presion të madh, marrin vendime kritike dhe përballen çdo ditë me rrezikun që edhe një devijim i vogël nga protokolli të ketë pasoja të rënda.
Në sistemet perëndimore, ky sigurim shihet si një detyrim etik dhe ligjor, jo si një kosto opsionale. Madje sot, në vendet më të zhvilluara, po diskutohet seriozisht edhe përgjegjësia ligjore e robotëve dhe inteligjencës artificiale, ndërkohë që në Shqipëri ende mungon një ligj bazë për përgjegjësitë civile të profesionistëve njerëzorë.
Kostoja minimale, përfitimet shumëfishe dhe shumëdrejtimëshe
Me një prim mesatar rreth 2% të të ardhurave vjetore, sigurimi i përgjegjësisë profesionale mbron profesionistin, garanton kompensim për klientin apo pacientin, forcon integritetin e profesionit, mban në këmbë biznesin duke ia amortizuar lëkundjet financiare.
Në çdo 100 euro të ardhura, 2 euro për të mbrojtur jetën e pacientit/klientit dhe reputacionin e kompanisë, janë zgjidhja.
Profesionistët nuk janë robotë, gabojnë, por përsa edhe robotëve në Perëndim u sigurohet përgjegjësia profesionale, shumëfish duhet të jetë nevoja për t’i siguruar profesionet dhe profesionistët.




