Aksidentet rrugore mbeten një ndër problemet më të mprehta që ka Shqipëria.
Por ndodh shpesh që shkaktari i aksidentit të dalë “i larë” dhe i dëmtuari të jetë ai që “paguan”.
Në një artikull me titull “Aksidentet rrugore, përballja dhe imazhi i rrënuar i policit përballë qytetarit kur ndryshon fajësinë”, portali Pamfleti tregon pse ndodh ky fenomen dhe çfarë roli ka Policia e Shtetit.
Ja çfarë shkruan “Pamfleti“:
Shqipëria regjistron mbi 50 mijë raste aksidentesh rrugore çdo vit dhe në të gjitha këto raste punonjësit e policisë janë në ”syrin” e qytetarit për qëndrimin që mbajnë dhe vendimet që marrin.
Aksidentet rrugore nuk kanë vetëm dëme në njerëz, të cilat janë më fatkeqet, por edhe materiale.
Nga janari në korrik INSTAT raporton për 84 raste aksdidentesh me humbje jete dhe mbi 900 të tjera me lëndime të lehtë e të rënda.
Të gjitha këto dëme materiale apo shëndetësore i faturohen industrisë së sigurimit, e cila, gjatë 7-mujorit të këtij viti, ka paguar afro 3 miliardë lekë dëmshpërblime, pa harruar edhe rezervat, rreth 70 miliardë lekë, të cilat pritet të paguahen sipas kërkesave ligjore.
Peshën kryesore e mban TPL ose siç e njohim rëndom Sigurimi i detyrueshëm i makinës me 2.36 miliardë lekë dëmshpërblime, më pas vjen Kartoni Jeshil me 534 milionë lekë dëme të paguara dhe mbi 1.5 miliardë Lekë rezervë dhe dhe Sigurimi Kufitar me 26 milionë lekë.
Por sot do të ndalemi në një tjetër aspekt, aq i përhapur dhe problematik: roli i Policisë Rrugore.
Rregulloret dhe ligjet në fuqi e tregojnë qartë se si veprohet në rast aksidenti.
- Mos e lëvizni mjetin e aksidentuar;
- Bëni foto dhe video të mjeteve në vendin e ngjarjes;
- Në rast se nuk jeni fajtor, nuk e pranoni fajësinë;
- Njoftohet, vjen dhe bën ekspertizën Policia Rrugore;
- Njoftohet kompania e sigurimit ku jeni i siguruar.
Por çfarë ndodh realisht?
Policia Rrugore, në shumicën e rasteve, jo vetëm që nuk respekton asnjë prej pikave të sipërcituara, por nxiton të nxjerrë fajtorin e aksidentit pa bërë ende asnjë ekspertizë apo hetim.
Të gjithë jemi dëshmitarë të paktën një herë kur polici pyet të përfshirët në aksident: “Kush është fajtori?”; “Kush ka KASKO?”; “Hajde, se i paguan KASKO ose mini-KASKO dëmet”.
Pse ndodh kjo? Pse deformohet vendngjarja?
Pikërisht këtu shfaqet figura e punonjësit të policisë para qytetarit.
Me sjellje të tilla aspak profesionale dhe për më tepër kriminale, policia jo vetëm që deformon vendngjarjen, ngarkon financiarisht një palë që është e pafajshme por krijon edhe precedentë për të ardhmen.
Me pak fjalë, polici dëmton uniformën që mban veshur dhe krijon një imazh të gabuar para qytetarit. Diku me dëshirë e diku me detyrim sepse duhet të mbajë anën e ”mikut”, ”të të fortit” etj. Ndërsa nga ana tjetër, të pafajshmit, ata ”që nuk janë të fortë dhe nuk kanë mik” shpallen fajtorë me policin që i detyron të firmosë mbi letra, pa e ditur çfarë dhe pse.
Pavarësisht ndryshimeve pozitive në Policinë e Shtetit, fatkeqësisht ky fenomen i hershëm vazhdon të dëmtojë imazhin e saj por edhe të dëmtojë financiarisht qytetarët dhe kompanitë e sigurimeve.
Qytetarët, nga ana tjetër, duke “ngrënë presionin” e policit dhe duke pranuar fajin duke firmosur pa ditur çfarë, jo vetëm që nuk marrin dëmshpërblimin që u takon por duhen të dëmshpërblejnë edhe palën tjetër.
Gjithashtu, këto veprime të punonjësve të policisë nuk nxisin kulturën e sigurimit në vend, si në të gjithë Europën dhe Botën, krijojnë një imazh të gabuar për kompanitë e sigurimeve duke i mbajtur ata larg edhe Sigurimeve Vullnetare, një mangësi jo e vogël për shoqërinë tonë.
Le të jetë ky shkrim një apel jo vetëm për Policinë e Shtetit, e cila duhet të respektojë ligjin por edhe për përdoruesit e rrugës:
“Tregohuni të kujdesshëm në rast se përfshiheni në një aksident rrugor. Mos pranoni fajin nëse nuk jeni shkaktar dhe qëndroni larg ‘allësh verisheve’”.