Nafta ka vijuar tendencën në rënie edhe në sesionin e sotëm dhe pritet të publikojë humbje për të dytin sesion me radhë. Investitorët po presin për të tjera shenja mbi gjendjen e ekonomisë amerikane dhe asaj kineze. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 81 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 75 dollarë për fuçi.
Gjatë kësaj jave, Brenti i Londrës ka humbur rreth 4.8% të vlerës, ndërsa nafta Bruto ka rënë me rreth 4.5%. Gjithashtu, çmimet janë gjendur nën presion për shkak të forcimit të dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare.
Në fokus të investitorëve do të jetë edhe situata e Covid-19 në Kinë dhe të dhënat e fundit sugjerojnë se numri i infektimeve ka rënë ndjeshëm. Në tregun e metaleve të çmuara, ari po tregtohet në rreth 1925 dollarë, ndërsa argjendi po tregtohet në rreth 23.4 dollarë për onz, duke rënë ndjeshëm krahasuar me një ditë më parë.