Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2022, numri gjithsej i mjeteve rrugore me status aktiv dhe ato të çregjistruara përkohësisht rezulton në 796,438 mjete, nga 740,669 mjete të regjistruara deri në vitin 2021, duke u rritur me 7.5%.
“Scan Intel”, referuar shifrave, ka përllogaritur numrin e mjeteve rrugore në Shqipëri në raport me numrin e banorëve. Kjo llogaritje përfshin të dhënat për mjetet të cilat përdoren vetëm për transportin e pasagjerëve, ku përfshihet kategoria e automjeteve dhe autobuzëve.
Por si është shpërndarja e këtyre automjeteve sipas qarqeve në raport me numrin e popullsisë?
Shifrat e rendisin Durrësin në krye të listës me numrin më të lartë të automjeteve të përdorura nga qytetarët. Qarku i Durrësit llogarit 305 mjete për 1,000 banorë në vitin 2022.
Renditja e këtij qarku në vend të parë lidhet ngushtë edhe me aktivitetin e shitblerjes së automjeteve që është një nga aktivitetet kryesore të subjekteve që operojnë në këtë qark, shtuar faktin që këtu është i përqendruar dhe tregu më i madh i automjeteve në vendin tonë.
Me një diferencë prej 15 mjetesh ndjek qarku i Lezhës ku në vitin 2022 janë përdorur 290 automjete, ndërsa në Gjirokastër janë 266 të tilla për 1,000 banorë.
Vlora dhe Shkodra ndjekin në renditje, ndërkohë në Tiranë janë regjistrohen 243 automjete për 1,000 banorë sa i përket transportit të pasagjerëve.
Mesatarja kombëtare për këtë tregues vlerësohet në 234 mjete për pasagjerë në raport me popullsinë, ndërsa nën mesatare pozicionohet qarku i Kukësit ku llogariten 226 automjete për 1000 banorë dhe ndiqet nga qarku i Fierit, Beratit, Dibrës, Elbasanit dhe Korçës.
Për të patur një panoramë sa më të plotë “Scan Intel” ndër të tjera ka analizuar edhe ndryshimin në përqindje të mjeteve rrugore për pasagjerë për 1.000 banorë sipas qarqeve për vitin 2022, krahasuar me vitin 2018-të.
Referuar të dhënave të “INSTAT”, qarku i cili ka patur rritjen më të lartë të mjeteve rrugore për pasagjerë në raport me popullsinë gjatë këtij harku kohor është Dibra, me 75.3%.
Kukësi dhe Elbasani ndjekin renditjen me një rritje prej 73.9% dhe 62.2%. Durrësi, i cili kryesonte renditjen me numrin më të lartë të mjeteve që përdoren vetëm për pasagjerë për 1,000 banorë, ka shënuar rritje të tyre me 58.7% në harkun kohor të katër viteve.
Tirana renditet në vend të fundit me rritjen më të ulët të mjeteve për 1,000 banorë, gjithmonë kur flasim për transportin e pasagjerëve, me 23.2%.
Gjatë periudhës 2018-2022, vihet re një rritje prej 43,7% të numrit të mjeteve rrugore për pasagjerë për 1.000 banorë në vendin tonë, nëse flasim në rang kombëtar.
LEXO EDHE: Mbi 800 milionë dëme në 10-muaj/ SIGAL UNIQA, e para edhe në Sigurimet e Automjetit