Mbi 34 mijë udhëtarë dhe 9 mijë automjete kanë hyrë në vendin tonë gjatë javës së fundit të korrikut nga Porti i Durrësit.
Ky fluks do të vijojë edhe gjatë muajit gusht, ndaj autoritetet detare vazhdojnë me një plan të shtuar masash për të përballuar këtë fluks dhe shmangur në kohë çdo vonesë të mundshme.
Vetëm paraditen e kësaj të hëne mbërritën në portin më të madh të vendit me 3 tragete të linjës Bari-Durrës 3,450 udhëtarë dhe mbi 900 automjete.
Janë kryesisht emigrantë dhe turistë të huaj që vijnë për pushime në Shqipëri.
Prej disa javësh, nga e mërkura dhe deri të dielën tragetet që lidhin portet italiane të Barit dhe Ankonës me portin e Durrësit kanë dyfishuar lundrimet e tyre, me qëllim përballimin e këtij fluksi të shtuar, që aktualisht është i përqendruar në hyrje.
Fluks edhe në Portin e Vlorës ku sipas raportimeve, hyrjet nga ky port këtë vit kanë janë më të larta duke shënuar një fluks të shtuar të turistëve dhe emigrantëve që kanë ardhur për pushime në fund të muajit korrik.
Duke e krahasuar edhe më të njëjtën periudhë të vitit të kaluar shihet se në korrikun e 2022-shit nga pika kufitare e portit të Vlorës kanë hyrë 17,000 qytetarë ndërsa për këtë vit ky numër ka shkuar në 19,000. Sa u përket automjeteve janë 500 më shumë.
Ajo çka bie në sy është numri i lartë i pushuesve kryesisht të rinj.
Trageti i linjës Brindisi Vlorë ka pasur rreth 75% të pasagjerëve me pushues të huaj më së shumti italianë të moshave 20-25 vjeç që vijnë për herë të parë në Shqipëri dhe kanë zgjedhur jugun e vendit për te pushuar.
LEXO EDHE: Mirë se vini në Shqipëri/ SIGAL ONLINE, siguracionet që ju nevojiten në celularin tuaj
Për gushtin pritshmëritë janë që numri i pushuesve të jetë akoma edhe më i lartë duke qenë se konsiderohet si muaji i fundit i pushimeve verore.