Nëse një i moshuar në vendin tonë do të kishte investuar në fonde private pensioni, përtej parave që merr në fund të muajit do të kishte mundësinë edhe të një pensioni të dytë.
Në kohën kur kjo kategori nuk po ja del të përballojë shpenzimet, shumë qytetarë e shohin si një ndërgjegjësim për të marrë masa për të ardhmen.
Rreth 43 mijë qytetarë kanë investuar deri në 3 mujorin e tretë të vitit për të patur një pension privat në të ardhmen.
“Skema e pensioneve private është krijuar që një individ të akumuloj të ardhura duke investuar këtu gjatë kohës që është në aktivitet pune në mënyrë që kur të mbush moshën për pension të ketë diçka shtesë”, thotë për A2 Edmond Koçi nga “SIGAL UNIQA Invest”, fondi më i madh i pensioneve në Shqipëri sa i përket aseteve në administrim.
Por nëse një qytetar nis të investojë që tani sa do të përfitonte në moshë pensioni?
“Si koncept i kontributit në një pension privat merret një minimum prej 1 mijë lekësh kur e flasim duket vlerë e vogël por nëse një person fillon punën në moshën 25-vjeçare, dhe i paguan rregullisht për 40 vite. I akumulohen mjaftueshëm fonde që kur të dalë në pension të marrë një pagesë tjetër. Pagesat mesatare në tregun e fondeve të pensioneve private janë 5 mijë – 8 mijë lekë në muaj. Nëse dikush investon 8 deri në 10 mijë lekë në muaj ai do të marrë një pension pleqërie rreth 25 mijë lekë të reja dhe po ta bashkosh me shtetin, ai ka të ardhura 45 mijë lekë në muaj, diçka mbi pagën minimale”, shpjegon Koçi.
Fondet e pensionit në Shqipëri kanë arritur një total asetesh deri në 78.42 milionë euro me një rritje prej afro 15 % krahasuar me 2023. Ndërsa numri i anëtarëve rezultoi me një rritje 13.61%.
Shifrat tregojnë rritje, por përsëri mbetemi prapa krahasuar me rajonin.
“Ne jemi mbrapa krahasimisht me rajonin por dhe vende me të njëjtin nivel ekonomik si ne. Kanë nivel ndërgjegjësimi për të investuar. Maqedonia ka 250 miliardë euro fonde pensione ndërsa ne 70 milionë euro”, thotë Koçi.
Fondet e pensionit përfaqësojnë një alternativë kursimi për të pasur të ardhura të mjaftueshme në moshë pensioni. Për nga vlera e aseteve tregu i fondeve private ngelet ende segmenti më i vogël financiar në Shqipëri.