Më shumë se 160 mijë të rinj nga 15 deri në 29 vjeç në vend nuk shkojnë në shkollë e as në punë. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se kjo kategori përbën mbi 26 për qind të grupmoshës, duke furnizuar ciklin e të madh të emigracionit.
“Unë mendoj dhe jam plotësisht e bindur se rinia shqiptare ka kapacitetin dhe dëshirën për të punuar, por ka nevojë për mbështetje”, shprehet një e re nga Kamza.
Në mënyrë paradoksale, papunësia shënohet në nivele të larta, në një kohë kur sipërmarrjet më shumë se kurrë po vuajnë nga mungesa e burimeve njerëzore.
“Tregu jonë është i etur për profesionistë të fushave të ndryshme e veçanërisht në turizëm. Kemi një vijë bregdetare të gjatë dhe nevoja për fuqi punëtore është shumë e madhe”, tregon sipërmarrësi Balashi.
Më shumë se sa pamundësia apo mungesa e dëshirës për të gjetur punë, është mungesa e një ure që lidh nevojat e sipërmarrjeve me të rinjtë ajo që po dëmton tregun dhe po nxit emigracionin.
Julian Jana, ekspert i tregut të punës.
“Sepse ne shohim shpesh që bizneset kërkojnë të rinj, por me eksperiencë pune. Por ata të rinj, që sapodalin nga banka e shkollës dhe nuk kanë orientimin e duhet e kanë gati të pamundur të bëhen pjesë e tregut”
Për shkak edhe të papunësisë, Shqipëria kryesoi vitin e lënë pas edhe listën e vendeve të Ballkanit Perëndimor për numrin më të lartë të azilkërkuesve në Bashkimin Europian me mbi 13 mijë kërkesa.