Qeveria britanike ka njoftuar se deri në mesin e vitit 2027 do të vendosë një regjim të ri rregullator për sigurimet captive, një formë sigurimi vetjak, që u lejon bizneseve të menaxhojnë vetë rreziqet e tyre.
Regjimi i ri do të karakterizohet nga kërkesa më të ulëta për kapital, më pak barrë raportimi dhe një proces më i shpejtë autorizimi.
Qëllimi është të bëhet Mbretëria e Bashkuar një destinacion më tërheqës për këto kompani, pasi aktualisht shumica e tyre ndodhen jashtë vendit.
Autoritetet rregullatore, PRA dhe FCA, do të udhëheqin procesin, duke dalluar midis captive-ve që mbulojnë rreziqe direkt dhe atyre që ofrojnë vetëm risigurim.
Në përgjigje të konsultimit të hapur më 2024, qeveria ka pranuar të zgjerojë fushën e regjimit për të përfshirë disa kompani financiare që do të mund të krijojnë captive për qëllime të kufizuara, si dhe lejon sigurimin e disa produkteve jetë afatshkurtra.
Për sigurimet e detyrueshme, qeveria mbetet e kujdesshme, duke lejuar mbulimin vetëm përmes risigurimit.
Gjithashtu, u mbështet ideja e përdorimit të strukturës “protected cell company” (PCC), e cila mund të jetë më e përshtatshme për kompani më të vogla që nuk kanë mundësi të krijojnë një captive të pavarur.
Megjithatë, qeveria britanike ka deklaruar se nuk sheh nevojë për ofrimin e lehtësirave tatimore për nxitjen e këtij tregu dhe nuk do të krijojë një regjim të veçantë për menaxherët e captive-ve, duke konsideruar se kuadri ekzistues për ndërmjetësit e sigurimeve është i mjaftueshëm.
Ky zhvillim është pjesë e reformave më të gjera në sektorin financiar britanik, të njohura si “Leeds reforms”, të prezantuara nga kancelarja Rachel Reeves në fjalimin e saj në Mansion House më 15 korrik.
Konsultimi i ardhshëm i autoriteteve rregullatore pritet në verën e vitit 2026.