Eksperti i bujqësisë, Eduard Sharka, ka folur për kthimin nga Kroacia të tre ngarkesave me mandarina nga Shqipëria brenda 12 ditëve, për shkak se rezultoi se mbanin pesticide.
Sipas tij, ky është një alarm i madh dhe se Ministria e Bujqësisë duhet të mbajë përgjegjësi.
Duke folur për MCN Live ai deklaroi se vetëm dy trajlera janë kthyer në Shqipëri dhe se i treti është asgjësuar në Kroaci, pas dyshimeve se në rast kthimi mund të tregtohej në Shqipëri ose në vendet jashtë Bashkimit Europian.
“Është alarm i madh, Ministria e Bujqësisë duhet të mbajë përgjegjësi për mungesën e kontrollit dhe se çfarë ka bërë për sigurinë ushqimore të qytetarëve tanë, është një rast që hap shumë probleme dhe na bën të ndihemi të pasigurtë për atë që konsumojmë.
Trajleri i fundit është groposur në Kroaci, pasi kanë marrë të dhëna që mbasi kthehen në vendet e Bashkimit Europian, ngarkesat mund të dalin në shitje në Shqipëri ose në vendet jashtë BE, prandaj vendosën që të groposen mandarinat.
Dy trajlerët që janë kthyer, janë të dy subjektet të cilët janë të pafajshëm se nuk kanë përgjegjësi, janë thjesht tregtarë që e blejnë produktet dhe i dërgojnë për eksport.
Trajleri që është groposur i ka kushtuar tregtarit shqiptar mbi 23 mijë euro. Tregtari tha se në ngarkesën e asgjësuar ka blerë në 10 fermerë dhe nuk dihet se kush nga fermerët ka abuzuar.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka thënë që do i vërë një gjobë prej 3 milionë tregtarit i cili është i pafajshëm, do kërkojë faturën e fermerit dhe do i vendosë një gjobë dhe atij.
Pesticidet që përdoren është verifikuar që shkaktojnë probleme të sistemit vaskular, të trurit etj.
Këto pesticide që kanë dalë nga lista e Bashkimit Europian janë hequr dhe nga vendi ynë, problemi është se si ka hyrë ky pesticid në vendin tonë.
Janë pesticide që përdoren kundër mizës dhe insekteve të dëmshme”.