Që nga liberalizimi i tregut të sigurimeve në Shqipëri, mbi 600 mijë raste dëmesh nga automjetet janë paguar nga siguruesit, brenda dhe jashtë vendit.
Kjo shifër e madhe tregon se klientët shqiptarë kanë përfituar mbrojtje dhe dëmshpërblim të konsiderueshëm, duke përfshirë edhe dëme që kapin vlerë mbi 5 milionë euro, ndoshta vetëm me një policë sigurimi prej 40 euro.
Ky raport, disa milionë euro, me 40 euro policë sigurimi, ka krijuar një barrë sa edhe një shqetësim shumë serioz ndër vite me kompanitë e sigurimit, sidomos ato seriozte, që bazën më të shëndetshme të klientelës së tyre e kanë mbështetur te korrektësia dhe forca paguese e dëmeve, si përmbushje e kontratave dhe ligjeve në fuqi.
Megjithatë, ka një problem të madh që është lënë pa zgjidhur: asnjë shofer shqiptar nuk është ndëshkuar me rritje primi për shkak të dëmeve të shkaktuara në 35 vitet e fundit.
Gjatë këtyre viteve, disa klientë mund të kenë shkaktuar 10, 15, apo edhe 20 dëme, me vlera totale që arrijnë 1–3 milionë euro. Kjo do të thotë që për të njëjtat pagesa vjetore të siguracionit, kanë përfituar 10-15-20 herë nga siguracionet.
Shifrat janë të qarta dhe tregojnë nevojën e domosdoshme për të vendosur sistemin e ndëshkimit, të njohur si malus.
Sot, rreth 600–700 mijë klientë përfitojnë bonusin prej 3%, ndërkohë që rreth 30 mijë klientë që shkaktuan dëme vitin e kaluar do të ndëshkohen me këtë mekanizëm, i cili nuk është i tepruar. Përkundrazi, nga perspektiva e një drejtësie, nga perspektiva e siguruesve dhe e shoferëve që nuk shkaktojnë dëme, duket drejtësi e vonuar.
Ndëshkimi financiar është i drejtë dhe i domosdoshëm, sepse aksidentet rrugore shkaktojnë pasoja serioze.
Nga 250–300 vdekje në vit dhe 1,000–5,000 të lënduar fizikisht, shumica e tyre janë rezultat i mosrespektimit të rregullave të qarkullimit, shpejtësisë së madhe apo përdorimit të alkoolit.
Në asnjë vend të botës nuk ndodh që shoferët që shkaktojnë aksidente të përfitojnë të njëjtin prim sigurimi vitin e ardhshëm.
Tregu i sigurimeve kudo ka një mekanizëm të qartë ndëshkimi financiar për shkaktarët, dhe Shqipëria, me në fund, e ka mbërritur momentin ta zbatojë këtë praktikë përmes “bonus-malusit”.
Sigurisht, sistemi i ri është në fillesat e veta. Duke shpresuar që të ndikojë në rritjen e vigjilencës dhe uljen e aksidenteve, më pas, aktuaristika, kur numrat e dëmeve të bien, do e reflektojë edhe në ulje të mëtejshme çmimesh për shoferët që nuk shkaktojnë dëme.
LEXO EDHE:
Aktuaristika: Çmimet e sigurimit nuk janë humori i tregut, por matematikë e përllogaritur e rrezikut
Tanimë, prej 1 janarit ka nisur koha që historiku i dëmeve të përdoret për të ndëshkuar ata që shkaktojnë aksidente, duke siguruar barazi, drejtësi dhe një kulturë më të përgjegjshme rrugore në vend.




