Një aksident që mund të kishte pasur pasoja të rënda ndodhi mbrëmjen e djeshme në superstradën Lezhë-Laç, në afërsi të kryqëzimit të Spitenit.
Dy automjete u përplasën me njëra-tjetrën, e për pasojë njëra prej tyre përfundoi në parkingun e një lokali që ndodhej në anë të rrugës.
Mori para ça mjetesh gjeti të parkuara, duke dëmtuar të paktën 8 prej tyre. Më pas makina, siç shihet edhe në pamje, përfundoi e përmbysur, thuajse e shkatërruar plotësisht.
Nga ngjarja mbeti i plagosur një pasagjer që ndodhej në njërën prej makinave që u përplasën me njëra-tjetrën. Ai ndodhet në spitalin e Lezhës, pa problem për jetën.
Ndërkohë, në vendin e ngjarjes shkoi policia, e cila nisi punën për zbardhjen e rrethanave të plota të këtij aksidenti.
“Rreth orës 22:05, në aksin rrugor Lezhë-Milot, automjeti tip “Audi”, me drejtues shtetasin E. Gj., është përplasur me automjet tip “Mercedes”, me drejtues shtetasin L. L, dhe me disa automjete të cilat ndodheshin të parkuara pranë një restoranti.
Nga përlasja e automjeteve është dëmtuar lehtë pasagjeri që ndodhej në automjetin tip “Mercedes”, shtetasi M. L., i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, tha policia e Lezhës në një njoftim për mediat.
Në momentin e aksidentit në lokal kishte klientë të shumtë, të cilët mund të ishin rrezikuar nga ngjarja në fjalë.