Prej 2 tetorit kanë nisur aplikimet për Lotarinë Amerikane dhe do të jenë të hapura deri në datën 5 nëntor.
Avokati Klevi Pojana ka sqaruar në “7pa5” në Vizion Plus se, aplikimi është i thjeshtë dhe i detajuar në faqen e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Ai rekomandoi që aplikimi të kryhet nga vetë individi dhe t’u përmbahet të gjitha pikave.
“Program që ne po flasim, është një program që ka nisur rreth viteve 1990. Është një program relativisht, por tashmë i konsoliduar, DASH i ka bërë shumë të thjeshtuara hapat që kushdo të aplikojë.
Rekomandimi kryesor është që aplikimi të bëhet vetë. Sepse është një aplikim i thjeshtë, por i cili duhet t’u përmbahet të gjitha pikave.
Pikë së pari është një target vendesh që e kanë të drejtën për të aplikuar, në të cilat bën pjesë dhe Shqipëria”, tha ai.
Më tej Pojana sqaroi edhe disa nga kriteret që duhen për të aplikuar.
“Arsimimi, duhet që minimalisht të ketë mbaruar arsimin e mesëm dhe më pas të arsimit të lartë, nëse ka, dhe kjo të pasqyrohet në aplikim. Ose duhet të kesh të paktën 2 vite eksperiencë pune në 5 vitet e fundit në një fushë të caktuar.
Duhet të bëhet aplikimi nga aplikuesi kryesor për të gjithë familjen, për ata që janë mbi 21 vjeç duhet të bëjnë aplikim më vete”, tha avokati.
Pojana shpjegoi se të përzgjedhurit nuk do të marrin një përgjigje me email apo mesazh, por mund të shohin nëse janë fitues në faqen e Departamentit Amerikan të Shtetit.