0.5 C
Tirana
Monday, November 25, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetLigji për tregjet e kapitalit/ Si do të ofrohen shërbimet e investimit...

Ligji për tregjet e kapitalit/ Si do të ofrohen shërbimet e investimit nga bankat dhe shoqëritë komisionere

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka hartuar dhe publikuar për konsultim publik projektrregulloren “Për ushtrimin e veprimtarisë operacionale të shoqërive komisionere dhe bankave që ofrojnë shërbime investimi”, duke e përafruar me rregulloren 2017/565 të Bashkimit Evropian për tregjet e kapitalit.

Rregullorja, e hartuar me asistencën e ekspertëve të Bankës Botërore, të kuadër të projektit të financuar nga Sekretariati Zviceran për Çështje Ekonomike (SECO) vendos standarde evropiane lidhur me mënyrën e organizimit dhe funksionimit të shoqërive që ofrojnë shërbime investimi në tregjet e kapitalit, duke përcaktuar në mënyrë të detajuar kërkesat për mënyrën e organizimit, funksionimit dhe ushtrimit të veprimtarisë operacionale të këtyre subjekteve, kërkesa që synojnë mbrojtjen e interesave të klientëve dhe funksionimin e drejtë e të rregullt të tregjeve të kapitalit, sipas njoftimit zyrtar të AMF-së.

Për herë të parë parashikohen rregulla të detajuara që duhet të zbatojë shoqëria komisionere gjatë ofrimit të shërbimit të këshillimit për investime në tituj apo administrimit të portofolit në tituj.

Në veçanti, rregullorja përcakton kërkesa të detajuara për shoqëritë komisionere që ofrojnë shërbimin e nënshkrimit të instrumenteve financiare (Underwriting), në mënyrë që të veprojnë në interesin më të mirë të klientit dhe të shmangen praktikat e manipulimit apo abuzimit me tregun.

Dokumenti përcakton kushtet dhe rregullat e sjelljes si dhe krijon kuadrin apo regjimin, brenda të cilit duhet të veprojnë shoqëritë komisionere të licencuara/regjistruara/njohura në Republikën e Shqipërisë si dhe bankat që kryejnë shërbime investimi.

Me qëllim ushtrimin e veprimtarisë së tyre lidhur me ofrimin e shërbimeve të investimit në tituj si dhe me qëllim sigurimin e vazhdimësisë së këtij aktiviteti, shoqëria komisionere duhet të ketë sisteme, burime dhe procedura të përshtatshme.

Kështu, rregullorja përcakton kërkesat që lidhen me detyrimin e shoqërive për të pasur procedura lidhur me përputhshmërinë, kategorizimin e klientëve, si edhe administrimin e rrezikut. Gjithashtu, parashikohen modalitetet për parandalimin e konfliktit të interesit, duke vendosur kërkesa lidhur me transaksionet personale që kryhen nga punonjësit e shoqërisë.

Rregullorja jep informacion të detajuar për shoqëritë komisionere mbi çfarë duhet të përmbajnë procedurat dhe politikat për të gjithë spektrin e shërbimeve të investimit që ato ofrojnë, duke sjellë kështu harmonizimin, unifikimin dhe standardizimin e proceseve dhe procedurave që duhet të zbatojnë shoqëritë gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre, në funksion të mbrojtjes së investitorit.

Një aspekt shumë i rëndësishëm është përcaktimi në rregullore i detyrimit të shoqërisë për t’i dhënë klientit ekzistues apo klientit të mundshëm një informacion të drejtë, të qartë dhe jo keqinformues. Në dokument përcaktohen llojet e informacionit, përfshirë informacionin mbi kostot dhe tarifat, që i jepet klientit si dhe mënyrat e komunikimit të këtij informacioni, në funksion të rritjes së transparencës si dhe mbrojtjes së tij.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat