Monedha Euro sipas Bankës së Shqipërisë e ka nisur këtë javë me një ringritje të lehtë duke fituar 0.21 pikë. Sipas kursit zyrtar të saj, 1 Euro këmbehet me 101.7 Lekë, ndërkohë që të fuqizuara në raport me Lekun janë edhe Dollari amerikan, Paundi britanik e Franga zvicerane, ndonëse në nivele minimale.
Por ky kurs nuk përputhet me sjelljen e pikave të këmbimit valutor, ku të gjitha monedhat e huaja janë zhvlerësuar në raport me Lekun.
Për ekspertët, kjo situatë do të vijojë në afatgjatë, e ndikuar kryesisht nga modeli i ekonomisë që vendi po ndjek.
Selami Xhepa: Kjo i dedikohet në radhë të parë faktorëve fondamentalë të Ekonomisë që kanë të bëjnë me prurjet e përhershme nga remitancat, nga prurjet nga investimet, me prurjet nga turizmi, nga sektori i shërbimit dhe transporti i mallrave dhe mundësia e faktorëve të tjerë, pra jashtë kanaleve formale.
Duket se kjo situatë do të krijojë pasoja në frenimin e rritjes ekonomike, për të cilën kërkohet ndërhyrja e institucioneve qendrore.
Selami Xhepa: Godet ndjeshëm fuqinë konkurruese të sektorit së eksportit në veçanti, por edhe prodhuesit e brendshëm, por nga ana tjetër, ndikon edhe tek grupet shoqërore, të ardhurat të cilat janë në Euro, kështu që kursi i këmbimit nuk mund të neglizohet.
Ndryshimi vjetor i kursit të këmbimit deri në këtë periudhë ka arritur një nivel rekord prej 14%, teksa luhatshmërite e kursit me Euron sipas ekspertëve përcaktojnë edhe tendencat e kursit të Lekut në raport me valutat e tjera.