Me shpresa për një rikuperim të euros, si qytetarët por dhe bizneset po kursejnë më shumë në valutë, duke përdorur kryesisht lekun si një opsion të për shpenzime të ndryshme.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se pas tkurrjes së madhe në shkurt, kursimet në euro u rritën sërish duke kaluar vlerën e 7.5 miliardë eurove.
“Shohim që kemi një rritje në kursimet në euro për shkak se e kuptojnë nënçmimin e euros duke i bërë të mendojnë që nuk është mirë të konvertojnë paratë e tyre. Me shpresën se në të ardhme me një mbiçmim mund t’i përdorin sërish. Nga ana tjetër do të thotë që në duart e qytetarëve për të blerë mallra e shërbime është leku si opsion”, thotë ekspertja Romina Radonshiq.
Të dhënat deri në prill tregojnë se më së shumti kursimet në euro po mbahen nga individët. Por në rritje kanë qenë dhe kursimet në këtë valutë edhe nga bizneset.
Nga ana tjetër kursimet në monedhën vendase kanë shënuar rënie me 7 miliardë lekë krahasuar me mars 2024 por një rritje prill 2023. Në muajin prill stoku i depozitave në lekë arriti në 581 miliardë lekë.
“Të ardhurat që kanë në dispozicion janë të pamjaftueshme dhe rritja e pagave në administratën publike uroj të pasqyrohet tek private. Megjithatë themi që kostot e jetesës mbeten të larta krahasuar me pagat. Të kursesh sot është diçka e suksesshme por shqiptarët nuk kanë aq para në dispozicion sa për të kursyer”, thekson Radonshiq. /A2CNN
Në total stoku i kursimeve në vend arriti në 1.29 trilionë lekë në prill, me një tkurrje prej 0.34% në krahasim me muajin e mëparshëm.