Në Shqipëri, struktura demografike po përjeton ndryshime të rëndësishme, veçanërisht në raportin midis grupmoshave të ndryshme.
Një aspekt i rëndësishëm i kësaj strukture është pesha që kanë grupmoshat mbi 65 vjeç ndaj totalit të grupmoshës nga 15 deri në 64 vjeç.
Në shumë vende të zhvilluara, përqindja e popullsisë mbi 65 vjeç është në rritje, dhe Shqipëria nuk bën përjashtim.
Ky fenomen është rezultat i disa faktorëve, përfshirë rritjen e jetëgjatësisë dhe uljen e lindshmërisë.
Në qarqet e Shqipërisë ky trend është i dukshëm dhe ka implikime të rëndësishme për politikat sociale dhe ekonomike.
“Scan Intel”, nisur nga të dhënat e Censit, ka analizuar peshën që kanë personat mbi 65 vjeç, pra në moshë pensioni, mbi totalin e personave në moshë pune, pra 15 deri në 64 vjeç.
Shifrat thonë se në Shqipëri, në rang kombëtar, pesha e pensionisteve mbi personat në moshë pune është 30.4%.
Sipas Censit të vitit 2023, popullsia në moshë pune është rreth 1.5 milionë, ndërkohë personat mbi 65 vjeç numërohen në rreth 475 mijë.
Nga të dhënat e analizuara, qarku i Gjirokastrës duket se po e vuan më shumë këtë situatë. Me një përqindje prej 46.09% të popullsisë mbi 65 vjeç ndaj totalit të grupmoshës nga 15 deri në 64 vjeç, Gjirokastra përballet me një sfidë të madhe në mbështetjen e të moshuarve.
Emigrimi i lartë i të rinjve në shumë qarqe ka lënë pas një popullsi të plakur që kërkon kujdes dhe mbështetje të plotë.
Vlora me një peshë prej 43.2%, pasuar nga Fieri, Korça dhe Berati ndjekin në renditje me peshën me të lartë që kanë personat në moshë pensioni përkundrejt atyre në moshë pune.
Kukësi, Tirana dhe Dibra kanë peshën më të ulët, e cila vaion nga 19.9% për Kukësin, 24.2% për Tiranën dhe 25.3% për Dibrën.
Krahasuar me të dhënat e Censit të vitit 2011-të situata paraqitet alarmante. Le të marrim rastin e Gjirokastrës, kur koeficienti i varësisë së të moshuarve, pra popullsia 65+ vjeç ndaj popullsisë 15-64 vjeç ishte 23.8%.
Ndërkohë pesha sot është dyfish më e lartë. Lind pyetja se kush do të punojë për këto pesionistë, ndërkohë që në rang vendi popullsia në moshë pune ka rënë me gati 300 mijë persona.
Rritja e përqindjes së popullsisë mbi 65 vjeç ka disa implikime të rëndësishme për politikat publike.
Së pari, është e nevojshme të rritet investimi në shërbimet shëndetësore dhe sociale për të përballuar nevojat.
Me një numër më të vogël të kontribuesve dhe një numër në rritje të pensionistëve, barra financiare për popullsinë aktive rritet.
LEXO EDHE: VIDEO/ Flasin përfituesit e pensionit më SIGAL: Shumë e leverdisshme dhe e domosdoshme