Nga Irma SHKREPA
International Financial Institute for Banking & Insurance (IFIBI)
Të bësh sigurim nga tërmeti apo jo? Të zgjuar sepse “kursejmê” duke mos paguar “kot” apo po luajmë me tërmetin “bixhoz” shtëpinë?
Deri më sot njerëzimi e ka humbur këtë “lojë bixhozi” sepse tërmetin nuk arrijmë as ta sinjalizojmë që do të ndodhë e jo me ta parandalojmë. “Kursejmë” rreth 300 lekë të vjetra në ditë për të qenë çdo ditë në lojë për të humbur shtëpinë. A është guxim, budallallëk apo padije?
Mund të presim shtetin që të na përgjigjet në qoftë se do na ndodhë tërmet, por që të menaxhojmë pritjen e gjatë sa të na vijë rradha dhe në qoftë se shteti do arrijë ti gjej aq fonde sa do ti duhen, kam zgjedhur të kem një sigurim shtëpie nga tërmeti si plan A e shtetin ta kem plan B.
Në tërmetin e nëntorit 2019 më erdhi rradha për inspektim pas 6 muajsh. Kur kishin mbërritur inspektorët ne ishim në punë dhe vlerësimi u bë me hipotezë dhe dëmshpërblimin e mora pas një viti kalvari me dokumenta e varavinga në zyrat e bashkisë.
Ndërkohë paralelisht me sigurimin e shtëpisë, kompania e sigurimit erdhi që të nesërmen e tërmetit.
Më pyetën kur isha e disponueshme të vinin të shihnin dëmet dhe erdhën mbasdite. Më ofruan dy opsione: të më riparonin shtëpinë ose të më jepnin paratë e ta riparoja vetë.
Zgjodha opsionin e parë dhe kompania e sigurimit më riktheu shtëpinë në gjëndjen e mëparshme brenda një muaji.
Tërmetin nuk e parandaloj dot por të paktën qetësinë mendore për financat e familjes mundem t’ia siguroj vetes duke vijuar jetën normalisht sepse nuk pata asnjë shpenzim shtesë nga tërmeti.
Sigurimi nga tërmeti është të paguash sot një çmim për të marrë garancinë se në qoftë se ndodh nesër një tërmet, kompania e sigurimit kujdeset për riparimet e dëmeve të shtëpisë time.
E ndaj këtë eksperiencë personale sepse gjykoj që penalizohemi shumë herë nga padija sesa nga mungesa e opsioneve që kemi por nuk dimë ti përdorim!