“Shqipëria, destinacion që nuk duhet lënë pa u vizituar”, kështu e nis artikullin, revista franceze e udhëtimeve “Easy Voyage”.
Artikulli i bën jehonë rivierës shqiptare, ndërsa rendit më tej 3 vendet që nuk duhen lënë pa u vizituar.
“Është destinacioni në rritje i këtij viti. Nuk duhet humbur, patjetër. Mes kalave, zonave arkeologjike, maleve dhe fshatrave tradicionale vendit nuk i mungon hijeshia. Për t’u freskuar gjatë qëndrimit tuaj, asgjë më mirë se një liqen apo një plazh. Lajm i mirë: këtij vendi ballkanik nuk i mungojnë!”, thuhet ndër të tjera në artikull.
Liqeni i Ohrit
Liqeni i Ohrit – është një nga liqenet më të mëdha në Gadishullin Ballkanik dhe një nga liqenet më të vjetra në botë.
Pika më e thellë e liqenit është 289 metra. Liqeni i Ohrit furnizohet nga Liqeni i Prespës – i vendosur në juglindje – dhe derdhet në drejtim të veriut nëpërmjet lumit Drini i Zi.
Midis dy liqeneve ndodhet Parku Kombëtar i Galiçicës – i krijuar në vitin 1958 dhe i vendosur në masivin me të njëjtin emër.
Për t’u freskuar, nuk ka asgjë më të mirë se një nga plazhet e liqenit!
Plazhi i Progradecit – ndodhet në mes të qytetit dhe maleve që e rrethojnë atë në lindje dhe perëndim – dhe që shtrihen drejt horizontit – në të dy anët e brigjeve të liqenit.
Shijoni relaksin pranë liqenit me ujëra të pastra bruz.
Krahas ujërave të liqenit, do të keni mundësi të vizitoni edhe sitin arkeologjik të Linit.
Plazhet e Ksamilit
Ksamili, një fshat i vogël në jug të vendit, ndodhet mbi një istëm në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit.
Ksamili është një vendpushim i njohur bregdetar – i cili ofron shumë plazhe ku mund të pushoni. Përreth zonës ndodhen disa ishuj të vegjël të pabanuar.
Në këto plazhe – ju mund të shijoni diellin në një shezlong, të pushoni nën hijen e çadrave të kashtës ose të notoni në ujërat e pastra bruz.
Në jug të istmit ndodhen rrënojat e bazilikës antike të Butrintit, ndërsa një nga ishujt strehon mbetjet e Kalasë së Ali Pashës.
Syri i Kaltër
Duke lënë Ksamilin në veri – dhe duke u ngjitur drejt maleve, rruga të çon në Syrin e Kaltër.
I vendosur në fund të luginës së Delvinës dhe Sarandës, liqeni njihet si një zonë e mbrojtur që nga viti 1996 – që përfshin 180 hektarë pyll përreth.
Për të shijuar plotësisht liqenin, vizitoni pjesën veriperëndimore – ku dominojnë ujërat e kristalta dhe bimësia e dendur.
Uji është aq i pastër sa mund të shihni florën që rritet në fund të lagunës. Për t’u relaksuar vizitoni restorantin “Syri i Kaltër”, i cili mban të njëjtin emër.