“Scan Intel” ka analizuar portofolin e kredisë së individëve sipas rretheve (definicioni i Bankës së Shqipërisë për përkatësinë gjeografike).
Të dhënat i referohen portofolit në total, pra jo kredisë së re, gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.
Në rast se shohim rrethet/qytetet sipas ndryshimit të këtij portofoli krahasuar me tre muaj e parë të vitit, kuptojmë se në vend të parë në terma rritje është Elbasani, me 3.3%, duke u ngjitur në 6.8 miliardë lekë, nga 6.6 miliardë lekë që ishte në tremujorin e parë të vitit.
Më pas ndjek Vlora, me 2.5% rritje, pranë 8.1 miliardë lekëve dhe Tirana, me 1.4% rritje, pranë 169 miliardë lekëve.
Vijon më pas Shkodra, me një rritje prej 0.9% në terma tremujorësh, Durrësi me 0.8% rritje, Fieri me 0.7% rritje dhe Korça me 0.5% rritje.
Nëse analizojmë vetëm kredinë për blerje banese, situata ndryshon disi.
Në vend të parë vijon të mbetet Elbasani, me një rritje prej 3.6% në terma tremujorësh, dhe ndiqet nga Vlora, me 1.9% rritje si dhe Durrësi me 0.9% rritje. Ndjek më pas në renditje Lezha, me 0.5% rritje dhe Tirana me 0.4%.
Tre rrethe/qytete ndërkohë regjistrojnë tkurrje të portofolit të kredisë për blerje banese nga individët dhe ato janë: Shkodra, me 0.2% rënie, Korça me 0.4% rënie dhe Fieri me plot 1.1% rënie.
Çfarë duhet të dimë para se të marrim një kredi bankare?
Duke qenë se çmimet e apartamenteve në Tiranë dhe zonat urbane rriten çdo vit, blerja e një apartamenti bëhet sfide sepse i shtohet dhe presioni i kohës për të mos mbartur edhe kostot e rritjes se çmimeve të tyre. Dhe në këto raste, një mjet ndihmues është kredia bankare.
Kreditë për shtëpi janë produkti që edhe bankat reklamojnë dhe ofrojnë më së shumti. Por ka disa detaje, të cilave nuk u vemë shumë rëndësi, po që në thelb janë jetike për secilin nga ne sikurse është “Sigurimi i Shtëpisë” dhe të kuptuarit saktë se çfarë mbulon dhe dëmshpërblen në rast dëmtimi nga shkaqe të ndryshme qe citohen respektivisht në policën e sigurimit.
Shumë e rëndësishme është të kuptohet diferenca e “Sigurimit të apartamentit me përfitues Bankën në vlerën e kredisë që merret për blerjen e tij” dhe “Sigurimit të apartamentit për vleren reale të tij”.
Pse?
“Sigurimit të apartamentit me perfitues Banken në vlerën e kredisë që merret për blerjen e tij”. Me pak fjalë, Banka ka siguruar kredinë, çka do të thotë, në rast se shtëpia, kolateral garancie për pagimin e kredisë, dëmtohet atëherë kompania e sigurimit ka vetëm detyrim ti paguaj bankës kredinë tuaj.
Ju nuk keni më borxh financiar ndaj bankës por ndërkohë jeni pa shtëpi!
Ndaj duhet të blini policën e sigurimi me mbulim vlerën e plotë të shtëpisë apo godinës së biznesit tuaj!
Një shembull: Në qoftë se blini një apartament me vlerë 100 mijë euro; 50 mijë euro kursime tuajat dhe 50 mijë euro kredi nga banka. Në rast dëmi, kompania e sigurimit mbulon vetëm 50% të dëmeve të shkaktuara dhe pjesën tjetër duhet ta përballoni me financat tuaja.
Kjo është e vlefshme dhe për rastet kur ka dëmtime pjesore, për shembull një dëm me kosto 2,000 euro, sigurimi mbulon vetëm 50% të dëmit, pra 1,000 euro. Ndërsa pjesën tjetër, 1,000 euro, duhet ta rregulloni nga buxheti juaj.
Si përfundim, nëse doni të siguroni totalisht pronën tuaj, qoftë apartament apo biznes dhe të mos shqetësoheni në rast fatkeqësish me origjinë natyrore ose njerëzore per kostot financiare që mund të prekin financat tuaja, sa herë që të merrni një kredi për shtëpi në bankë sigurohuni që përveç policës së sigurimit që banka merr per sigurimin e kthimit të kredisë qe ju ka dhënë, merrni edhe policën shtesë të sigurimit me vlerën e plotë të shtëpisë apo biznesit.
Siguroni pasuritë me vlerën e tyre reale që të garantoni qetësinë financiare dhe të shmangni surprizat e pakëndshme për familjen dhe jetën tuaj!