Ndryshimet që pësoi skema e pensioneve një dekadë më parë, si rritja e moshës së pensionit, apo vendosja e barazisë, pra të një raporti të drejtë midis kontributeve dhe masës së pensionit, të shoqëruara edhe me masa të tjera sollën një qëndrueshmëri financiare.
Sot defiçiti i skemës, është 0.85% e PBB nga 2 që ishte dhjetë vjet më parë.
Kjo do të thotë se fondet e buxhetit të shtetit që përdoren për të plotësuar ato të pensioneve kanë ardhur në rënie.
Por megjithatë, zyrtarët mendojnë se skema po merr goditje të vazhdueshme kryesisht nga zhvillimet demografike, si emigracioni rënia e lindjeve apo rritja e jetëgjatësisë, të cilat për pasojë sjellin plakjen e popullsisë.
Banka Botërore parashikon që në vitin 2035 popullsia në moshë pensioni të rritet në 24% nga 19 që ishte në vitin 2019.
Sot gëzojnë pension 705 mijë qytetarë dhe raporti kontribues përfitues është 1.17 me 1, një raport i brishtë për një skemë pensioni të qëndrueshme.
Nga ana tjetër qytetarë në pension pohojnë për Zërin e Amerikës se masa e pensioneve nuk mjafton për të përballuar jetesën.
Ata thonë se kostot janë të larta dhe se përballen me majft vështirësi.
Ndaj një prej sfidave kryesore për autoritetet mbetet masa e pensionit, me qëllim përballimin e jetesës. Qeveria i ka indeksuar pensionet në vijimësi, por sërish ato mbeten të ulëta, në raport me kostot.
Drejtori i ISSH (Instituti i Sigurimeve Shoqërore) Astrit Hado argumenton se, arsyet e pensioneve të ulëta shtrihen në vite, si informaliteti në ekonomi, puna e zezë dhe nëndeklarimi i pagave.
Sipas Instat, në Shqipëri ka rreth 1,3 milionë të punësuar dhe 40% e tyre nuk kontribuojnë në skemë.
Menaxheri i zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri , Emanuel Salinas shprehet se, “numri i njerëzve në tregun e punës nuk kontribuon mjaftueshëm në skemën e pensionit”.
Disa shkaqe siç thotë ai, lidhen me kontributet mbi bazën e pagës minimale.
“Edhe të vetëpunësuarit kontribuojnë më pak se sa do të kërkonte niveli i të ardhurave, ndërsa ka gjithashtu shumë njerëz që janë në punësim informal, dhe ndoshta nuk po kontribuojnë fare”.
“Objektivi që po përpiqemi të arrijmë me rishikimin e politikave të sistemit të pensioneve, duke punuar së bashku me qeverinë është një sistem pensioni që u ofron burime të mjaftueshme njerëzve kur ata arrijnë moshën e pensionit, që është i qëndrueshëm dhe i përballueshëm nga qeveria që të bëjë ato pagesa, por njëkohësisht që të jetë edhe një sistem i drejtë. Ne duam t’u përcjellim të rinjve besueshmërinë se nëse kontribuojnë tani, kur të vijë mosha e pensionit do të kenë një nivel të arsyeshëm të ardhurash përmes pensionit”, thotë Salinas.
LEXO EDHE: Pse një fond pensioni privat? Sa i sigurtë është ai?