Bashkia e Tiranës do të mbështesë me kredi të buta me interes 3%, ku pjesa tjetër subvencionohet nga buxheti i këtij institucioni, të gjithë ata individë që plotësojnë kriteret e duhura.
Referuar vendimit të miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, programi i subvencionimit të interesave të kredive do të targetojë familje/individë që nuk disponojnë banesë në pronësi.
Programi synon të përfshijë dhe mbështesë të gjithë individët dhe familjet që kanë vendbanim në territorin e Bashkisë Përparësi në përzgjedhje do të kenë çiftet e reja dhe të rinj me moshë deri në 40 vjeç; individë/familje të minoritetit rom dhe egjiptian; gra kryefamiljare/gra të dhunuara.
Duke qenë se subvencionimi i interesave të kredisë do të kryhet nga buxheti i shtetit, marrëveshja është lidhur ndërmjet ministrit përgjegjës për strehimin, ministrit përgjegjës për financat dhe institucionit financiar.
Kriteri kryesor ekonomik që duhet të përmbushin aplikantët, përpos faktit se nuk duhet të kenë banesë në pronësi, është niveli i te ardhurave që duhet të kenë.
Konkretisht, sipas vendimit, për një familjare me 1-2 anëtarë, të cilët aplikojnë për një strukturë apartamenti garsoniere, niveli maksimal i të ardhurave duhet të jetë deri në 79.575 lekë/muaj. Për një familje me 3 anëtarë dhe apartament 1+1, niveli i të ardhurave që duhen plotësuar arrin në 117.398 lekë/muaj.
Për një familje me katër anëtar dhe strukturë apartamenti 2+1, niveli i të ardhurave është 137.758 mijë lekë/muaj, dhe për familje të mëdha 5 – 6 persona, me strukturë apartamenti 3+1, niveli maksimali të ardhurave duhet të jetë deri në 146.535 lekë/muaj. Për të gjitha kategoritë, niveli minimal i të ardhurave është 35.520 lekë/muaj.
Sistemi i pikëzimit në total përmban 100 pikë, dhe ndahet në katër kategori, siç janë kushtet e strehimit; kushtet familjare; kushtet sociale; dhe kushtet ekonomike, ku secila prej tyre ka një nivel prej 25 pikësh.
Në total parashikohet që të ndahen 1200 kredi të buta.
Gjatë procesit të aplikimit, individët duhet të dorëzojnë dokumentet që verifikojnë gjendjen e tyre ekonomike si dhe kushtet e jetesës.