Individët ngelen klientët më të mirë të sektorit bankar shqiptar.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, raporti i kredive me probleme pësoi përsëri rënie vitin e kaluar në 3.4%, nga 3.8% që kishte qenë një vit më parë.
Segmenti i individëve ka pasur historikisht një raport të kredive me probleme më të ulët krahasuar me bizneset, sepse ekspozimet janë më të vogla dhe rreziku i kredisë është më i shpërndarë.
Gjithashtu, duke qenë se pjesa më e madhe e portofolit konsiston në kredi për blerjen e banesave, angazhimi i huamarrësve ndaj shlyerjes së detyrimeve në përgjithësi është i madh.
Ndërkohë, raporti i kredive me probleme për bizneset është në nivele më të larta, me 5.7%. Megjithatë, edhe te bizneset raporti i kredive me probleme pësoi një rënie të lehtë me 0.2 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.
Përsa i përket ndarjes së kredive me probleme sipas monedhës, rezulton se treguesi i kredive me probleme në valutë nuk ka ndryshuar krahasuar me vitin 2022 dhe ka mbetur në nivelin 4%, ndërkohë që treguesi i kredive me probleme në lekë ka shënuar rënie në nivelin 5.4%, nga 6% që kishte qenë në fund të vitit paraardhës.
Raporti i kredive me probleme për sektorin bankar shqiptar në fund të vitit të kaluar zbriti në 4.7%, nga 5% që kishte qenë në fund të vitit 2022. Ky tregues ka prekur nivelin më të ulët që prej tetorit të vitit 2008.
Një ndikim të rëndësishëm në rënien e raportit të kredive me probleme besohet se dha rritja e vogël e normave të interesit nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit të kaluar, por edhe forcimi i lekut në kursin e këmbimit.
Në fund të vitit 2023 kursi i këmbimit Euro-Lek ishte në rënie vjetore me 9.1%, por në periudha të veçanta të vitit rënia vjetore e kursit arriti deri në 14%.
Ndërkohë, gjatë muajve të parë të këtij viti, ky tregues po shfaqet i qëndrueshëm, me një tendencë të lehtë në rritje.
Sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, rritja e lehtë e raportit të kredive me probleme duket të jetë kryesisht efekt i rritjes së normave të interesit në euro.