Tirana është shtrenjtuar sërish krahasuar me vitin e shkuar duke mbajtur këtë vit vendin e parë si kryeqyteti më i shtrenjtë në rajon.
Numbeo, që mat indeksin e kostove të jetesës sipas kryeqyteteve në botë, përcakton se në fillim të këtij viti, Tirana ka një indeks prej 44.9%, matur me koston e jetesës në raport me qytetin e Nju Jorkut, që e ka këtë tregues 100%.
Ky tregues është rritur me 0.4% krahasuar me matjet e 2023-shit, të publikuara në korrik.
Indeksi i kostos së jetesës (pa qiranë) është tregues relativ i çmimeve të mallrave të konsumit, duke përfshirë produktet ushqimore, restorantet dhe transportin.
Treguesi specifik më i shtrenjtë në Tiranë është ai i blerjes në supermarkete, sa 42.3% e mesatares së Nju Jorkut, ndjekur nga kostoja e një vakti në restorant, 39.3%.
Indeksi i qirave në Tiranë vlerësohet sa 12.8% e Nju Jorkut.
Në janar 2024 kostoja mesatare për një familje me 4 persona është 231.8 mijë lekë ndërsa kostoja për një person të vetëm është 64.9 mijë lekë, pa përfshirë qiranë në të dyja llogaritjet. Sipas Numbeo, kostoja e jetesës në Shqipëria është 55% më e ulët se ajo në SHBA.
Tirana dhe Beogradi më të shtrenjtët në rajon, Prishtina më e lira
Më e lirë në rajon është Prishtina 32.6%, ndjekur nga Shkupi në Maqedoninë e Veriut (36.7%) dhe Sarajeva në Bosnjë Hercegovinë (37.4%).
Ndërsa pas Tiranës më të shtrenjtët në rajon janë Beogradi në Serbi (43.2%) dhe Podgorica në Mal të Zi (40.2%). Tirana dhe Beogradi prej vitesh kanë patur tipikisht diferencë shumë të vogël në treguesit e kostos së jetesës.
Qytetet më të shtrenjtë në botë ndodhen në Zvicër, si Zyrihu, ku kosto e jetesës është sa 122% e mesatares së Nju Jorkut. Koston më të ulët të jetesës në raport me Nju Jorkun e kanë qytete në Rusi dhe Ukrainë (29-27.9%).