Kostot ekonomike për shkak të përmbytjeve të fundit në Evropën Qendrore janë të konsiderueshme.
Vlerësimet e para tregojnë se vetëm përmbytjet aktuale mund të kushtojnë rreth 1 miliard euro, por kostot e sakta ende nuk janë llogaritur pasi shiu i rrëmbyeshëm nga stuhia Boris vazhdon të godasë rajonin, duke lënë pas një numër në rritje të vdekjeve dhe dëme të konsiderueshme.
Bazuar në informacionet më të fundit, ekspertët njoftojnë se humbjet më të mëdha priten në Republikën Çeke, një nga vendet më të prekura nga eventet e pafavorshme të motit së fundmi, duke shtuar se sigurimi për fatkeqësitë natyrore është më i përhapur në vend në krahasim me shtetet e tjera të prekura.
Në Evropë, përmbytjet janë aktualisht rreziku natyror më i kushtueshëm, sipas konsulentit Mjedisor në Mbretërinë e Bashkuar JBA Risk Management. Vetëm përmbytja nga lumenjtë kushton 7.8 miliardë euro çdo vit dhe pritet të rritet pasi ekonomitë vazhdojnë të zhvillohen në zonat me rrezik të lartë dhe ndryshimi i klimës çon në reshje më të mëdha dhe më intensive.
Gjatë kësaj periudhe, përmbytjet kanë përfshirë pjesë të Austrisë, Republikës Çeke, Polonisë dhe Rumanisë dhe pritet të prekin edhe Sllovakinë dhe Hungarinë.
Sipas analistëve, dëmtimi i infrastrukturës, ndërtesave dhe rritja e shpenzimeve për ndihma mund të shkaktojë gjithashtu një ulje të prodhimit dhe aktivitetit ekonomik. Këta faktorë zakonisht çojnë në një ndikim negativ në buxhete dhe tregti, që shfaqet si rritje e deficitit dhe përkeqësim i bilancit tregtar, për shkak të uljes së eksporteve dhe rritjes së importeve.
Sipas analistëve, në Çeki, ndikimi ekonomik, i kombinuar me dëmtimet ndaj pronës dhe prodhimit, mund të jetë 0.2-0.5% e PBB-së me ndikimin e përgjithshëm shumë më të vogël në rritjen e Prodhimit të Brendshëm.
Në një periudhë afatshkurtër, sektori industrial pritet të ketë impakt negativ në të gjitha vendet e prekura nga përmbytjet dhe turizmi në rajon mund të vuajë pasojat. Gjithashtu, dëmtimet në të korrat mund të rrisin inflacionin. Por në planin afatgjatë, restaurimi do t’i japë një shtysë sektorit të ndërtimit, duke nxitur investime të reja me teknologjinë moderne.
LEXO EDHE: Fatkeqësitë natyrore në rritje/ Top News: Shtëpia, biznesi, makina, mbrojtje e plotë me SIGAL UNIQA