Të dhënat krahasuese mes Shqipërisë dhe Kosovës nxjerrin në pah një realitet domethënës për mënyrën si dy shoqëri, një komb, e kuptojnë sigurimin e shëndetit.
Gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2025, shqiptarët në Republikë të Shqipërisë kanë paguar 6.9 milionë euro për sigurimin e shëndetit, duke përfituar 4.3 milionë euro në pagesa dëmesh, ndërsa Republika e Kosovës ka paguar 22.3 milionë euro dhe kanë përfituar 15.9 milionë euro, pra 11.6 milionë euro më shumë se sa në Shqipëri: thuajse katërfishin e përfitimeve.
Përfitime konkrete: në njerën anë në Shqipëri kanë përfituar 4.3 mln euro, në tjetrën, në Kosovë, 15.9 milionë euro. 4 herë diferencë. Pse? Sepse në Kosovë kanë zgjedhur të sigurohen 3 herë më shumë.
Këto shifra tregojnë se në Kosovë ekziston një ndërgjegjësim shumë më i lartë për sigurimin shëndetësor. Atje e kanë kuptuar më shpejt që sigurimi shëndetësor privat lehtëson barrën financiare të qytetarëve në raste sëmundjesh apo trajtimesh mjekësore të kushtueshme.
Për familjet e Kosovës, pjesëmarrja e kompanive të sigurimit në mbulimin e kostove shëndetësore nënkupton më pak varfërim pas sëmundjes, më pak borxhe për trajtime, më shumë stabilitet financiar dhe një përgjigje më të shpejtë ndaj krizave shëndetësore.
Në të kundërt, në Shqipëri, ku pjesëmarrja në sigurimet shëndetësore private mbetet e ulët, shpenzimet mjekësore bien direkt mbi buxhetin e familjeve.
Kjo sjell shpesh tronditje ekonomike, vonesa në trajtime, ose heqje dorë nga shërbimet shëndetësore për shkak të pamundësisë për t’i përballuar. Ndërhyrja e kufizuar e sigurimeve private e lë individin të pambrojtur përballë rreziqeve që mund të rrënojnë jo vetëm shëndetin, por edhe ekonominë familjare.
Një sistem i zhvilluar sigurimesh shëndetësore, përtej aspektit financiar, ul traumat sociale që shoqërojnë sëmundjet e rënda, nxit aksesin në trajtime cilësore, rrit besimin te institucionet dhe krijon një rrjet solidariteti financiar që shpërndan rrezikun mes shoqërisë, në vend që ta mbajë secili më vete.
Për Shqipërinë, rruga drejt këtij modeli nuk është vetëm çështje tregu: është një domosdoshmëri sociale për të mbrojtur dinjitetin dhe stabilitetin ekonomik të qytetarëve të saj.




