Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare organizoi në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe mbështetjen e Bankës Botërore Konferencën Ndërkombëtare “Reformimi i sistemit të pensioneve në Shqipëri”.
I pranishëm në konferencë ishte Kryeministri Rama, ministri Gonxhja, Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e AMF, Mimoza Kaçi, Drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, përfaqësues të nivelit të lartë nga institucionet ndërkombëtare dhe autoritetet mbikëqyrëse financiare.
Në konferencë u diskutua edhe për ndërhyrjet reformuese në sistemet private dhe vullnetare të pensioneve në Shqipëri.
Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutivee AMF, Mimoza Kaçi, e pranishme në panelin e dytë të diskutimeve të konferencës u ndal te rëndësia e pensioneve private si mundësi kursimi për qytetarët për të siguruar më shumë mbështetje dhe mirëqënie për moshën e pensionit.
“Me miratimin e ligjit të ri për fondet private të pensioneve në nëntor të vitit 2023, Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm drejtpërafrimit me direktivën IORP II të Bashkimit Europian. Ky legjislacion ka sjellë një sërë risish dhe avantazhesh në drejtim të inkurajimit të pjesëmarrjes në skemat private të pensioneve, ofrimit të më shumë mundësive të investimit, incentivave fiskale, përmirësimit të qeverisjes dhe forcimit të mbrojtjes së anëtarëve,” theksoi Kaçi.
Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e AMF foli edhe për mundësitë e implementimit të shtyllës së dytë të pensioneve.
“Në gjykimin tim, implementimi i saj, që mbështetet në një qasje me llogari individuale të kursimeve të detyrueshme, ofron një perspektivë premtuese pasi është e dizenjuar me qëllim plotësimin e shtyllës së parë, duke siguruar diversifikim të burimeve të të ardhurave për pensionistët dhe financa publike më të konsoliduara”.
Autoriteti, si pjesë e mandatit të tij, është i angazhuar për të siguruar stabilitetin, transparencën dhe integritetin e tregjeve financiare, përfshirë skemat private të pensioneve. Vitin e kaluar, punuam intensivisht dhe përfunduam të gjithë kuadrin rregullator sipas ligjit të ri për pensionet private. Ne do të vijojmë me angazhimin tonë për zbatimin e kuadrit të ri ligjor dhe rregullator.