Komenti i mëposhtëm ka autorësinë e shefi financiar të AXA-s, Alban dë Majli Neslë (Alban de Mailly Nesle). Ai është njëherësh edhe kryetar i European CFO Forum. AXA është një nga kompanitë më të mëdha globale të sigurimeve dhe menaxhimit të pasurive.
Siguruesit europianë kanë një rol unik si investitorë afatgjatë institucionalë me portofol investimesh shumë të larmishëm. Në kohë pasigurie financiare, ata veprojnë si një forcë stabilizuese. Kjo nuk është rastësi, por pjesë e mënyrës së funksionimit të tyre.
Por, aftësia jonë për të konkurruar globalisht po pengohet nga kompleksiteti i rregulloreve dhe barrat e panevojshme të raportimit. Angazhimi i Komisionit Europian për të reduktuar barrat administrative dhe thjeshtuar raportimet me 25% është një sinjal pozitiv. Por ky qëllim duhet të kthehet në ndryshime reale për të gjithë siguruesit, të mëdhenj dhe të vegjël. Siguruesit duhet të jenë pjesë kyçe në këto diskutime.
Një sektor konkurrues i ngadalësuar nga kompleksiteti
Bashkimi Europian ka krijuar një rrjet të ndërlikuar rregullash. Në 2012, industria jonë ndiqte 12 direktiva kryesore. Sot janë mbi 70. Shumë prej tyre janë me qëllime të mira (transparencë, stabilitet financiar, qëndrueshmëri, mbrojtje e konsumatorit), por me kalimin e kohës janë bërë shumë të shumta, shumë të detajuara dhe të shpërndara.
Rregullat shpesh krijohen në mënyrë të pavarur, pa marrë parasysh ndikimin total. Rezultati është një mozaik detyrimesh të përsëritura ose të mbivendosura, që largojnë burimet nga aktivitetet kryesore dhe kufizojnë inovacionin dhe konkurrencën, duke dobësuar forcën ekonomike të Europës dhe tërheqjen e saj si qendër financiare globale.
Kjo vlen sidomos në fusha si qëndrueshmëria dhe raportimi financiar, ku ndërveprimi midis IFRS, CSRD, SFDR, Taksonomisë së BE-së dhe Solvency II krijon vështirësi dhe konfuzion për përdoruesit e të dhënave, jo vetëm brenda kompanive të sigurimit, por edhe për investitorët, rregullatorët dhe publikun.
Për më tepër, shtimi i kërkesave në nivel kombëtar e përkeqëson situatën. E njëjta rregullore europiane mund të interpretohet ndryshe nga një vend në tjetrin. Kjo krijon pasiguri, pengon bizneset ndërkufitare dhe bën Europën më pak tërheqëse për kapital.
Një qasje e mençur dhe e përpiktë ndaj rregullimit
Forumi i CFO-ve të sigurimeve europiane mbështet plotësisht qëllimet kryesore të rregulloreve të BE-së. Besimi, transparenca dhe qëndrueshmëria financiare janë thelbësore për industrinë tonë dhe për shoqërinë. Por për të ruajtur besimin dhe konkurrencën globale, rregulloret duhet të jenë praktike, të përpikta dhe të qarta.
Konkurrenca e Europës varet nga thjeshtimi i kompleksitetit të rregulloreve aktuale. Reduktimi i kërkesave të tepërta dhe të panevojshme nuk do të thotë heqje e sigurisë, por eliminim i pengesave që nuk sjellin vlerë. Rregulloret duhet të thjeshtohen, dhe në disa raste edhe të hiqen. Fokus duhet të jetë një sektor financiar më i fortë, konkurrues dhe i qëndrueshëm.
Thjeshtimi dhe reduktimi i barrës duhet të jenë pjesë e agjendës së konkurrencës së BE-së.
Ne kërkojmë të thjeshtohet çfarë ekziston tashmë, të eliminohet përsëritja dhe çdo rregull i ri të ketë një analizë të qartë të kostove dhe përfitimeve. Siguruesit duan rregullore që ndihmojnë rezultate të mira dhe nuk pengojnë progresin.
Prandaj, Forumi i CFO-ve përkrah agjendën e thjeshtimit të Komisionit. Por kërkojmë që kjo të shkojë përtej fjalimeve politike. Duhet të rishikohen me të vërtetë kërkesat ekzistuese, në dialog të hapur me industrinë dhe duke kuptuar se çfarë funksionon në praktikë.
Propozimet tona për thjeshtim konkret
Për të arritur këtë, Forumi i CFO-ve ka propozuar ndryshime në katër fusha prioritare ku ka mundësi për përmirësim:
-
Rregullimi i raportimit për qëndrueshmërinë: Duhet një koordinim më i mirë midis CSRD, SFDR dhe kuadrove të tjera për të reduktuar mbivendosjet dhe përqendrim në informacionet e dobishme.
-
Përdorimi i IFRS për raportime financiare të veçanta: Mbështesim përdorimin e IFRS në të gjithë BE-në për raportime në nivel kombëtar, që do të thjeshtojë proceset dhe përmirësojë konsistencën.
-
Solvency II: Kërkesat aktuale të raportimit mund të bëhen më të përshtatshme pa komprometuar mbikëqyrjen, duke thjeshtuar format dhe rishikuar nevojën për disa raporte cilësore.
-
Tatimi global minimal: Mbështesim qëllimet e marrëveshjes së OECD, por kërkojmë zbatim të qartë dhe të qëndrueshëm për të shmangur kompleksitet shtesë për siguruesit që operojnë në vende të ndryshme.
Në këto fusha, jemi gati të bashkëpunojmë me politikëbërësit për të krijuar rregullore që funksionojnë në praktikë dhe kontribuojnë në një ekonomi europiane më të fortë dhe konkurruese.
Çfarë vjen më pas?
Forumi i CFO-ve do të vazhdojë të kontribuojë ndërtueshëm në agjendën rregullatore të BE-së. Sektori ynë është krenar që luan një rol afatgjatë në ekonominë europiane duke ofruar mbrojtje, promovuar qëndrueshmërinë dhe investuar për një të ardhme më të mirë. Por mund ta bëjmë këtë vetëm nëse rregullat që na qeverisin janë të qarta, të përshtatshme dhe të qëndrueshme.