Aurora Sulce, Ervin Qafmolla
Fitim Sula, pensionist 78-vjeçar nga Rrogozhina, me profesion skulptor, shpreh pakënaqësi rreth pensionit të tij të ulët. Me 43 vite kontribut si mësimdhënës dhe si artist, ai thotë se pensioni nuk do t’i mjaftonte për të mbuluar nevojat po të mos ishte për ndihmën e fëmijëve.
“Është premtuar vazhdimisht rritje e pensionit, por ka rreth 11 vjet që nuk ka asnjë rritje të tillë. Përkundrazi, me rritjen e inflacionit, pensioni im dhe i pensionistëve të tjerë në Shqipëri faktikisht është zvogëluar.”
Sula aktualisht përfiton një pension prej 25 mijë lekësh në muaj, i cili ndonëse paraqitet më i lartë se i shumë të tjerëve, sërish është i pamjaftueshëm. Por ky nuk është meraku i tij i vërtetë.
“Duke parë situatën aktuale dhe mënyrën se si po shkojnë punët, jam shumë pesimist për të ardhmen e pensioneve për brezat e rinj, përfshirë edhe djalin tim, sepse vajza jeton në Milano”, thotë ai.
Sula vëren se strukturat aktuale dhe mënyrat e menaxhimit të fondit të pensioneve nuk japin shumë shpresë për stabilitet ose siguri afatgjatë. “Nëse nuk bëhen reforma serioze dhe të qëndrueshme në sistem dhe në ekonominë e vendit, frika ime është se pensionet mund të jenë edhe më të paqëndrueshme në të ardhmen, prandaj vazhdimisht e këshilloj djalin të largohet nga vendi.”
Ndërkaq janë mbi 700 mijë pensionistë në Shqipëri, shumë prej të cilëve pasi kanë punuar rreth katër dekada, të ardhurat nuk u mjaftojnë as për nevojat e përditshme elementare. Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), pensioni mesatar në vend përllogaritet në 15,600 lekë. Ky nivel është sa 39% e pagës minimale dhe 20% e pagës mesatare.
Në vitin 2022, Banka Botërore e rishikoi minimumin e varfërisë sipas rajoneve, duke e indeksuar këtë normë në rastin e Shqipërisë në 6.85 dollarë në ditë, çka në muaj rezulton në 205 dollarë. Kjo do të thotë që mesatarja e pensioneve në Shqipëri tashmë është zyrtarisht poshtë nivelit ndërkombëtar të varfërisë.
Por një pjesë e pensionistëve marrin shumë më pak se kaq. Bëhet fjalë për të moshuarit e zonave rurale. Sipas ISSH-së, pensioni në fshat është vetëm 10,888 lekë dhe ai në qytet 18,615 lekë.
Niveli i ulët i pensioneve është pasojë e drejtpërdrejtë e situatës së vështirë në të cilën ndodhet skema e pensioneve në Shqipëri. Një skemë deficitare, e cila gjithmonë e më shumë po kërkon mbështetje financiare nga buxheti i shtetit, duke qenë një barrë e drejtpërdrejtë mbi taksapaguesit shqiptarë.
Emigrimi masiv dhe i pandalshëm gjatë dekadave të fundit, ulja e numrit të lindjeve dhe rritja e jetëgjatësisë së të moshuarve, janë faktorët kryesorë që ndikojnë te gremisja graduale dhe e ‘qëndrueshme’ e skemës së pensioneve në Shqipëri.
Kjo për shkak të emigrimit masiv dhe të pandërprerë vitet e fundit, që ka ulur ndjeshëm numrat e fuqisë punëtore dhe rrjedhimisht, edhe të kontribuuesve në skemë. Paralelisht është rritur mosha mesatare, çka do të thotë plakje e popullsisë.
Sipas Censit 2023, popullsia llogaritet në 2.4 milionë banorë, ose 420 mijë më pak se rreth një dekadë më parë. Kjo do të thotë se gjatë periudhës me realizimit të dy censeve, vendi ka humbur mesatarisht 35 mijë banorë në vit. Ndërkohë, mosha mesatare, në fund të 2023-it llogaritet në 42.5 vite, nga 35.3 vite që ishte në Censin 2011, duke rezultuar në një plakje të Shqipërisë prej 7.2 vitesh gjatë periudhës në fjalë.
Të dy këta tregues kanë efekt të drejtpërdrejtë në skemën e pensioneve, duke ulur numrin e kontribuuesve dhe rritur atë të përfituesve, thënë ndryshe, të pensionistëve.
Sipas ISSH-së, numri i kontribuuesve në skemën e pensioneve në fund të vitit 2023 arriti në 826,928 mijë persona. Vitin e kaluar u shënua një rritje e vogël e kontribuuesve me rreth 25,000 persona dhe kjo si rrjedhojë e nismës së qeverisë për të rritur pagën minimale, çka u shoqërua me një reduktim të lehtë të informalitetit në tregun e punës. Por edhe kjo rritje e numrit të kontribuuesve rezulton e pandjeshme përballë shtimit të pensionistëve.
Të dhënat zyrtare të ISSH-së tregojnë se në fund të vitit 2023, numri i përfituesve në skemën e pensioneve rezultoi rreth 705 mijë pensionistë. Në vitet e fundit, numri i pensionistëve të përfshirë në skemë ka ardhur duke u rritur në mënyrë të vazhdueshme, duke konfirmuar plakjen e popullsisë dhe nevojën për të gjetur burime financimi.
Rrjedhimisht, raporti kontribuues/përfitues në skemën e pensioneve, një tregues i rëndësishëm që tregon për shëndetin financiar të saj, ka arritur në 1.17. Kjo do të thotë se për çdo përfitues nga skema e pensioneve ka 1.7 kontribuues. Kjo normë tregon që ky ekuilibër i brishtë po ulet me shpejtësi drejt raportit 1 me 1, ku numri i kontribuuesve barazohet me atë të përfituesve.
Të dhënat e fundit të Censit 2023 dëshmojnë se Shqipëria nuk ndodhet shumë larg këtij realiteti, diçka që do të përbënte një skenar të zymtë për ekonominë dhe jetën shoqërore, dhe për të ardhmen e vendit.
Kjo pasi raporti i varësisë së të moshuarve është rritur në 30.4% në vitin 2023 nga 16.7% që ishte në Censin 2011.
Ndërkohë që raporti i varësisë së të rinjve ka zbritur aktualisht në 24% nga 30.4% që ishte dhjetë vite më parë. Numri i të rinjve po gremiset me shpejtësi, ndërsa ai i të moshuarve po rritet ditë pas dite. Kjo është formula që e bën vendin të përballet me plakje progresive të popullsisë, të cilës nuk i duket fundi.
Sipas ekspertëve, ndryshimet sistemike që mund të ndodhin nënkuptojnë një ndryshim të sistemit aktual për të kaluar drejt një fondi pensionesh, në formën e një fondi investimi, kontributit në fonde private, apo në forma të tjera të kombinuara.
“Kjo nuk cenon pagimin e pensioneve të përfituesve, që janë tashmë në skemë dhe që do të jenë dhe në të ardhmen”, vëren Selami Xhepa.