5.5 C
Tirana
Thursday, November 21, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetKërkon 50% të dëmshpërblimit/ "Stop": Mashtrimi i avokatit me aksidentin. As telefonin...

Kërkon 50% të dëmshpërblimit/ “Stop”: Mashtrimi i avokatit me aksidentin. As telefonin nuk u hap familjarëve

Pak ditë më parë emisioni “Stop” në Tv Klan transmetoi ankesën e familjarëve të të ndjerit Dervish Arapi. 61-vjeçari Arapi, banues në Patos, në 23 Shtator 2022, aksidentohet për vdekje nga një makinë.

Genti, administratori i një agjencie funerale në Fier, i lidhi familjarët e viktimës me dajën e vet avokat, Ardian Dauti. Ky i fundit ka lidhur disa akt-marrëveshje noteriale me ta, duke marrë përsipër përfaqësimin në të gjitha institucionet, si për çështjen penale, ashtu edhe për dëmshpërblimin.

Por avokati as telefonin nuk u hap familjarëve. Pa asnjë komunikim me avokatin, familjarët i janë drejtuar edhe prokurorisë, ku edhe ky institucion nuk u ka dhënë asnjë informacion lidhur me hetimin. Menjëherë pas transmetimit tonë, OPGj ka shkuar të takojë familjarët, pasi kishte marrë detyra për këtë dosje.

Skënder Arapi, i vëllai: Po, kështu na tha. Janë bërë tërheqje. I kanë  kthyer ato letrat dhe do bëhen prapë të reja, tha ai. Mori emrat e çupave. Pyeti ka qenë i martuar, apo s’ka qenë.

Gazetari: Domethënë edhe pse kishin kaluar gati 2 muaj dhe më tepër, gjërat filluan të lëvizin pikërisht në momentin që ju e bëtë publik këtë rast.

Skënder Arapi, i vëllai: Po, se s’kishte ardhur më parë ai, se të ishte ashtu, do kishte ardhur më parë ai.

Në marrëveshjen me familjarët avokati ka shkruar, se në çdo moment, që ata tërhiqen, ai vetë përfiton 50% të dëmshpërblimit. Ndërkohë nga Dhoma Kombëtare e Avokatëve thonë, se prokura ndaj avokatit mbrojtës është e njëanshme dhe mund të ndërpritet. Në çdo rast avokati mund të marrë deri në 5% të vlerës së punës, dhe jo 50%, siç kishte pretenduar.

Dhoma Kombëtare e Avokatëve: Prokura është e njëanshme. Bëhet nga ana e lëshuesit të prokurës. Normalisht, duhet të ketë biseduar paraprakisht me avokatin. Prokura është e pavlerë.

Gazetari: Është e pavlerë?

Dhoma Kombëtare e Avokatëve: Është e pavlerë. Është një akt i njëanshëm.

Gazetari: Pra, që sot, ai mund të prishë marrëdhënien…

Dhoma Kombëtare e Avokatëve: Ai mund të revokojë prokurën në cdo kohë. Tani, së fundmi, Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar rastin e siguracioneve, sepse ka qenë një dispozitë, që nuk lejohet që avokati të marrë më shumë se 5%. Në momentin, që ju keni operuar ka qenë e kufizuar, 5% merr avokati. Ne jemi në funksion të avokatëve. Prevalon interesi i avokatëve, por kjo nuk do të thotë, se ne mbrojmë avokatët, kur ata gabojnë.

Dëmet nga aksidentet, gjueti mjeshtërore nga ana e avokatëve

Në Shqipëri ka vite që është krijuar një skemë mirëfilli korruptive, nga një grup abuzuesish ekspertë, vlerësuesë dëmesh dhe avokatë që devijojnë dhe manipulojnë shkaqet dhe fajtorët e vërtetë të aksidentit, duke devijuar në mënyrë të qëllimtë edhe të drejtën e dëmshpërblimit.

Të parët që shkojnë tek koka e të aksidentuarit apo tek familjarët që kanë të vdekur janë individët që përgatitin skemat e vjedhjes së të dëmtuarit, duke bërë gjoja sikur po interesohen për hallin që atyre u ka rënë.

Duke qenë për nga natyra më të buta dhe presupozohet më të dhimbshme dhe qytetarët priren tu besojnë më shpejt, dërgohen pranë qytetarëve të dëmtuar apo atyre që kanë humbur familjarë, femra nën cilësinë e përfaqësuesve nga zyra ekspertësh, vlerësuesë dëmesh apo avokatë, duke bërë gjoja sikur atyre u vjen keq për çfarë qytetarit apo familjarit i ka ndodhur dhe me demek dëshiron ta ndihmojë që të përfitojë dëmshpërblimin.

Qytetarët, shpesh herë edhe nga mosinformimi, sepse e drejta e dëmshpërblimit i takon kujtdo që ka pësuar aksident dhe s’ka qenë fajtor i aksidentit, bien pre e këtyre mashtrimeve dhe hedhin edhe firma pa e ditur se për çfarë po i hedhin firmat dhe në fund ose nuk marrin asgjë që ju takon, sepse “përfaqësuesi” i tyre ka bërë marrëveshje me palën tjetër dhe e ka shitur mirëfilli rastin e tij/saj, duke ja dhënë dëmin dikujt tjetër që nuk i takon, ose në rastin më të mirë marrin vetëm 50% të shumës që ju takon nga dëmshpërblimi.

Kjo ka krijuar situata të paqarta dhe mungesë besimi tek kompanitë e sigurimit, kur në fakt edhe vetë kompanitë janë të dëmtuara në këtë rast dhe atyre u intereson që dëmin ta marrë pala që i takon dhe mbi të gjitha ta marrë në masën 100% dhe jo ta ndajnë me ndërmjetësit. Sepse, kur klienti është i kënaqur, rrjedhimisht i beson kompanisë së sigurimit dhe mbetet klient besnik.

Dëmshpërblimi i drejtpërdrejtë dhe i përcaktuar qartë me skeda, me foto nga vendngjarja e aksidentit, një komision mjekësor i qartë dhe i pakorruptuar që di ta bëje në mënyrë të saktë vlerësimin e dëmit dhe masën e dëmshpërblimit, do rriste besimin e kompanive të sigurimit, sepse dëmshpërblimi do të kryhej shpejt dhe mbi të gjitha do të shkonte tek personi i duhur, tek pala e dëmtuar që vërtet i takon dhe jo tek ai që thjeshtë pretendon.

Kjo do të eleminonte palët përfituese, të cilët, përfitojnë nga ngjarja, përfitojnë nga familjarët që janë të tronditur në ato momente, do të ulte ulte evazionin fiskal sepse çdo gjë do të bëhej sipas rregullave dhe pa para në dorë; do gjeneronte klientë të kënaqur dhe me besim tek kompanitë e tyre të sigurimit, pra e thënë qartë çdo gjë do të funksiononte sipas rregullave e ligjeve!

Pikërisht me këtë situatë të krijuar, në një intervistë televizive, Drejtori i Përgjithshëm i SIGAL UNIQA Group Austria, do të jepte këtë mesazh për qytetarët:

“Duke iu drejtuar palëve të treta, duke zgjedhur ndërmjetës nuk bëjnë gjë tjetër veçse humbasin gjysmat e parave që u takojnë. Ndoshta i humbasin edhe fare sepse raste kur avokatët ua kanë marrë të gjitha lekët dhe nuk u kanë dhënë asgjë. Dhe tani vazhdojnë ti ndjekin me gjyqe.

Të gjithë njerëzve ua them me shumë sinqeritet. Shkoni në kompanitë e sigurimeve. Nëse kompania nuk ju paguan brenda afatit të caktuar nga momenti që ti dorëzon dokumentar, që është maksimumi tre muaj, atëherë drejtohu gjykatës. Por mendoj se më e mira është ta zgjidhësh problemin brenda kompanisë së sigurimit, të kërkosh vlerën që të takon e të largohesh. Kjo është e drejtë e ligjshme që i takon secilit të dëmtuar në një aksident”.

LEXO EDHEAksidentet/ Ponari apel qytetarëve: Drejtohuni kompanive të sigurimeve, duke u drejtuar avokatëve humbisni kohë dhe para

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat