Aksidentet rrugore janë kthyer në një problem serioz për Shqipërinë teksa çdo ditë dëgjojmë dhe lexojmë në media për ngjarje të tilla, me dëme të mëdha jo vetëm materiale por edhe në jetë njerëzish.
Vetëm ditën e djeshme, 3 qytetarë humbën jetën si pasojë e dy aksidenteve rrugore, njëri në Rrugën e Elbasanit në Tiranë dhe një në Rrugën e Arbrit, në afërsi të Shkallës së Tujanit.
Por “çudia tre ditë zgjat” dhe pasi i kthehemi përditshmërisë, harrojmë të analizojmë shkaqet pse aksidentet rrugore në vendin tonë janë shndërruar në “minë me sahat”.
AKSIDENTET RRUGORE GJATË 11-MUJORIT 2023
Muaji nëntor i këtij viti ka sjellë më shumë aksidente rrugore krahasuar me një vit më parë.
Sipas të dhënave të INSTAT, përgjatë muajit nëntor të këtij viti ndodhën 167 aksidente rrugore, krahasuar me 92 të një viti më parë, duke shënuar një rritje me 81,5%.
Për periudhën janar-nëntor 2023 numërohen 1,128 aksidente rrugore, ndërkohë numri i të aksidentuarve është 1,531 persona.
Krahasuar me periudhën janar-nëntor 2022 numri i aksidenteve rrugore është rritur 6,4%.
DISA NGA SHKAQET KRYESORE TË AKSIDENTEVE RRUGORE
Në një intervistë të para pak viteve, CEO i kompanisë së sigurimeve “SIGAL UNIQA Group Austria”, z.Avni Ponari, rëndiste disa prej shkaqeve që e bëjnë Shqipërinë një ndër vendet me më shumë aksidente rrugore.
- Një nga shkaqet më të rëndësishme është drejtimi i mjetit pa praktikën e duhur, drejtimi i tij në moshë të madhe, humbja e reflekseve… Situata në rrugë është e gjithanshme por reflekset dhe komandimi i saj nuk mund të merren me një patentë të blerë apo me një makinë të vjetër që ka bërë mijëra kilometra dhe që nuk lejohet të qarkullojë në Europë, për shkak të mbikalimit të limit të lejuar të kilometrave të përshkruar dhe parametrat që mbart.
- Infrastrukura rrugore. Nuk ka asnjë normë qarkullimi, pasi diku punohet e diku zgjerohet, diku tjetër rikonstruktohet por nga ana tjetër lejohet kalimi i automjeteve e të tjera situata si këto, të cilat nuk paralajmërohen pa asnjë shenjë dalluese, pa asnjë sinjalistikë si gjatë ditës ashtu edhe gjatë natës. Sa aksidente kanë ndodhur në këto rrugë? Të gjithë e dimë, por të gjithë heshtim. Por kush është përgjegjësi dhe pse nuk penalizohet së paku financiarisht për dëmet e shkaktuara?
- Humbja e vëmendjes. Rreth 90% e aksidenteve në zonat urbane ndodhin për shkak të humbejs së vëmendjes, ku pjesën më të madhe e zë përdorimi i celularit.
- Mjetet tejet të amortizuara në rrugë të këqija. Çdokush ëndërron të blejë një makinë, por që të blesh një makinë të re do të thotë të ëndërrosh dyfish. Ajo se çfarë ndodh në Shqipëri është se Qeveria Shqiptare ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë, edhe përmes aplikimit të taksave të ulëta, mjetet e përdorura. Shqipëria ka përqindje shumë të ulët të automjeteve të reja në raport me numrin e përgjithshëm të tyre.
- Mungesa e sinjalistikës në rrugët hyrëse e dalëse. Ato rrugë që janë ndërtuar dhe që janë ana pozitive e zhvillimit të vendit janë sot nën sulmin e njerëzve të pandërgjegjshëm, por edhe në papërgjegjshmërinë e strukturave shtetërore për mbrojtjen e rrugëve.
- Drejtimi i automjeteve nën efektin e alkoolit. Mungesa e kontrollit nga policia dhe drejtimi i automjetit nga përdoruesë nën efektin e alkoolit, përbëjnë arsyet kryesore të 50% të aksidenteve në Shqipëri. E keqja më e madhe është se këta përdoruesë nuk kontrollohen në vendin e aksidentit ose nuk shënohet në proces-verbalin e policisë, në mënyrë që personi të mos dënohet dhe të përfitojë nga siguracioni. Një investim i detyrueshëm me regjistrimin online të çdo rasti do të shmangte përgjegjësinë dhe do bënte të mundur uljen e përdoruesve të alkoolit.
- Sistemi rrugor shqiptar nuk ekziston askund, pa asnjë sinjalistikë, pa asnjë shenjë dhe pa asnjë mbrojtje. Këto ishin rrugët e ndërtuara në socializëm ku kalonte Zisi e Saurreli dhe kur nuk flitej për mbrojtëse rrugësh, përveç rasteve kur thuhej se makina doli nga rruga dhe ra në humnerë. Statistikat tregojnë për shumë raste të humbjes së jetës si pasojë e këtyre rënieve në Shqipëri. Nga ana tjetër, në shumë rrugë, këto sinjalistika janë vjedhur dhe në shumë segmente rrugore janë vendosur keq, duke krijuar kaos dhe në jo pak raste në shumë automjete kanë hyrë deri tek timoni, vetëm nga vendosja me ndërprerje e këtyre mbrojtëseve.
- Përdorimi i gomave të konsumuara nga drejtuesit e mjeteve dhe përdorimi i gomave të njëjta si në dimër ashtu edhe në verë ka shkaktuar plot aksidente. Kjo ndodh pasi nuk ka asnjë penalizim për asnjë drejtues mjeti dhe akoma tregtohen goma të përdorura në Shqipëri.
AKSIDENTET RRUGORE, CËNIM I SIGURISË KOMBËTARE
Pasojat e aksidenteve rrugore, sa i përket sigurisë njerëzore, nuk kufizohen vetëm tek humbjet njerëzore, por pasojë direkte e tyre janë edhe kërcënimet që shkaktohen sa i përket sigurisë ekonomike, sigurisë shëndetësore dhe asaj personale.
Pra, disa aspekte jetike të sigurisë, në kuptimin komponentëve të definuar sipas autorit Barry Buzan, preken drejtpërdrejtë, duke pasur pasoja kështu edhe për sigurinë kombëtare të vendit në përgjithësi.
Në kuptimin e sigurisë ekonomike, që shkaktojnë aksidentet rrugore si kërcenim, pasojat janë shumëdimensionale.
Humbja e jetëve apo lëndimi i personave që janë pjesë aktive e forcës punëtore, ka pasoja ekonomike edhe për familjet e tyre. Duke qenë se numri më i madh i aksidenteve shkaktohen në vendet me të ardhura të ulëta, këto pasoja kanë efekte direkte në rritjen e varfërisë së këtyre familjeve. Numri i ditëve të punës që i aksidentuari humbin, edhe nëse kanë fat dhe i mbijetojnë aksidentit, ndikon në të ardhurat personale dhe ekonominë familjare.
Përveç kësaj, aksidentet gjenerojnë edhe shpenzime tjera që janë vështirë të përballueshme për të prekurit si: shpenzimet për funeral, shpenzime për procedura eventuale ligjore, shpenzime administrative, shpenzime mjekësore etj.
Jo rrallë të përfshirë në aksidente janë ata që përbejnë pjesën më produktivitetin më të madh ekonomik për një vend: biznesmenët, menaxherët, ekspertët, inxhinierët, mësuesit etj. Kjo nënkupton se aksidentet do të kenë efekte të drejtpërdrejta edhe në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Aksidentet rrugore vlerësohen si kërcenim për sigurinë shëndetësore sepse, siç edhe nënkuptohet, rrisin numrin e atyre që kërkojnë trajtim mjekësor dhe kur ky shërbim nuk është adekuat, jeta e njerëzve rrezikohet seriozisht.
Përveç efekteve fizike, aksidentet kanë edhe pasoja psikologjike për viktimat dhe familjet e tyre, trajtimi i të cilave kërkon shërbime të specializuara dhe të kushtueshme të shëndetit mendor.
SIGURIMI I PËRGJEGJËSISË NDAJ PALËVE TË TRETA
Aksidentet rrugore janë shkaku i tretë i vdekjeve pas sëmundjeve të zemrës dhe goditjeve në tru. Por urgjencat nga traumat në rrugë po kapin nivele shqetësuese. 9-10 aksidente ndodhin çdo ditë në rrugët e Shqipërisë, të raportuara. Pasi shumë aksidente edhe nuk bëhen publike.
Përballë këtij fenomeni drejtuesit e automjeteve duhet të jenë të ndërgjegjshëm, të kryejnë sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta, ose siç e njohim ndryshe TPL.
Një aksident, veç pasojave materiale apo fizike, ka edhe kosto të larta financiare për përgjegjësin e aksidentit, gjë që e thellon edhe më shumë ngjarjen.
Kompanitë ndihmojnë drejtuesit ta heqin këtë përgjegjësi nga vetja, duke ia marrë ato përsipër mbulimin e dëmit të shkaktuar.
Sigurimi i përgjegjësisë ndaj palëve të treta, na mbron duke ofruar garanci dhe pagesë financiare për çdo dëm material.
Mos kryerja e këtij sigurimi automatikisht bën që në rast aksidenti, shkaktari të paguajë nga xhepi cdo dëm që shkakton tek të tretët.
LEXO EDHE: Keni siguracionin TPL dhe jeni përfshirë në një aksident? Ja si duhet të veproni
Duke parë situatën në vend, mund të themi me bindje se aksidentet rrugore në Shqipëri por dhe në të gjitha vendet e tjera (kryesisht ato në zhvillim) përbëjnë një kërcenim serioz të sigurisë kombëtare.
Përballë këtyre sfidave, institucionet shtetërore duhet t’i trajtojnë aksidentet rrugore me prioritet dhe së bashku me ekspertë të fushës duhet të punojë intensivisht për ti futur në top-prioritetet.