Në Europë, kanceri është shkaku kryesor i vdekjeve në popullatën nën 65 vjeç.
Sipas EUROSTAT, sëmundjet tumorale përbëjnë arsyen kryesore të vdekjeve për gratë nën këtë grupmoshë në afro 41 % të rasteve dhe 26 % të rasteve tek mëshkujt.
Në këtë trend është edhe Shqipëria, e cila po njeh rritje të rasteve me sëmundje tumorale nga viti në vit.
Sipas bluzave të bardha, dy janë faktorët që po ndikojnë në rritje të kësaj sëmundshmërie.
“Incidenca e sëmundjeve tumorale, nëse flasim tre dekadat e fundit ka ardhur gjithnjë e në rritje. Shpeshherë nën moshën 65 vjeç, siç ndodh në vendet e Europës, përtej Europës dhe në vendin tonë është ulur pragu i moshës dhe shfaqja e këtyre patologjive tumorale sa po vjen edhe po rritet, mosqasja ndaj mjekëve specialistë apo kontrolleve imazherike dhe laboratorike bën që këto sëmundje të kapen në stade të avancuara. Rritja e tyre ndodh për shkak të ekspozimit disavjeçar ndaj ndotjes ambientale, konsumimit të produkteve shtazore”.
LEXO EDHE: Një akt dashurie për jetën dhe shëndetin/ Pse nevojitet “Sigurimi anti-Tumor”
E ndërsa grupmosha aktive po humb jetën më shumë nga kanceri, referuar të dhënave të EUROSTAT, tek personat mbi 65 vjeç, shkaqet kryesore të vdekjes janë sëmundjet e qarkullimit të gjakut, kanceri, Covid-19 dhe sëmundjet e frymëmarrjes.
Edhe në Shqipëri, kjo grup sëmundjesh përbën shkakun kryesor të vdekjeve, ndërsa sëmundjet tumorale renditen në vend të tretë.
“Kjo lidhet edhe me rritjen e faktorëve të riskut, obeziteti, kolesteroli, por edhe kanceri renditet i dyti apo i treti në këtë grupmoshë”.
Nga afro 24 mijë fatalitete të regjistruara gjatë një viti në Shqipëri, afro gjysma e tyre janë për shkak të sëmundjeve të qarkullimit të gjakut.