Një 27-vjeçar në Vlorë e ka pësuar pasi tentoi t’i bëjë një “rreng” policisë, pasi bëri një kallëzim të rremë për vjedhjen e automjetit të tij, për të përfituar kompensim me të njëjtën vlerë.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vlorë pas kallëzimit nga K. Ç., banues në Itali, se në Zvërnec i kishin vjedhur automjetin e tij tip “Range Rover” me targa italiane, me vlerë 60,000 euro, nisën punën për zbardhjen e këtij rasti.
Si rezultat i kontrolleve të kryera automjeti u gjet i fshehur në një garazh në Tiranë, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Bazuar në pamjet filmike rezultoi se 27-vjeçari “kishte bërë kallëzim të rremë për vjedhjen e automjetit të tij, me qëllim përfitimin e kompensimit me vlerën 60 000 euro, nga kompania e siguracionit të automjetit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Për këtë rast u referuan materiale në Prokurori, ndërsa nisi procedimi në gjendje të lirë.
Mashtrimi në sigurime
Sipas Nenit 145 të Kodit të Procedurës Penale, mashtrimi në sigurime përkufizohet si “paraqitja e rrethanave të rreme në lidhje me objektin që sigurohet, ose krijimi i rrethanave të rreme dhe paraqitja e tyre në dokumentet duke përfituar padrejtësisht sigurime.
Kjo vepër penale dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet”.
E njëjta gjë vlen edhe në çdo shtet tjetër të Europës përfshirë këtu edhe Italinë ku makina në fjalë ka qenë e siguruar.
Sipas Nenit 642 të Kodit të Procedurës Penale, në rast mashtrimi në sigurime, personi rrezikon burg nga 1 deri në 5 vjet.