Bllokimi i shërbimeve kadastrale, prej pothuajse 2 muajsh, po krijon një zinxhir problemesh në fusha të ndryshme.
Pas zyrave noteriale, janë bankat tregtare ato që po penalizohen, bashkë me qytetarët. Procesi i kredimarrjes ka ngecur që nga fillimi i korrikut, për shkak të mungesës së eficiencës nga ana e Kadastrës.
Në një prononcim për median, sekretari i Shoqatës së Bankave në vend, Spiro Brumbulli, tregoi se sistemi bankar po përjeton një ngërç, sidomos në finalizimin e kredive me kolateral pronën,
“Në praktikë është vërejtur një bllokim jo tërësor, pasi procedurat e shpjeta dhe me kosto më të lartë kanë funksionuar. Por eficenca është kaq e ulët sa 1 në 5 aplikime merr përgjigje. Kjo na shqetëson dhe na kanë vënë në vështirësi ne si sistem bankar. Të gjitha aplikimet e reja të korrikut por dhe ato të mbartura nga qershori për kredi me kolateral nuk kanë marrë udhë, pasi pronat as bllokohen as regjistrohen, duke krijuar ngërç për ne”, tregon Brumbulli.
Sekretari i Shoqatës shpjegon se kjo ka sjellë një dëm financiar për bankat tregtare dhe rrjedhimisht edhe për ekonominë e vendit, rreth 18 mln lekë të munguara.
“Bankat kredidhënien e kanë fokus kryesor të punës së tyre. Kjo do të thotë se ne në një muaj nuk i kemi dhënë ekonomisë 18 miliard lekë (të vjetra), duke përjashtuar ato kredi konsumatore të cilat nuk kanë nevojë për kolateral. Pjesa dërrmuese e huadhënies jepet me garanci ndaj dhe për ne komunikimi me kadastrës është i rëndësishëm”.
Ndonëse ankesat kanë nisur pak ditë pas shpalljes së digjitalizimit (3 korrik 2023), Agjencia Shtetërore e Kadastrës, ASHK, nuk ka reaguar asnjëherë. Këtë e konfirmon edhe Brumbulli.
“Ka një indiferentizëm nga ana e Kadastrës. Pavarësisht një komunikimi që ne kemi pasur, duke i shprehur shqetësimin e tonë, ajo që vërejmë është se nuk ka një përgjigje prej tyre. Pra, ne duam të dimë sa do të zgjasë kjo situatë, kur do të marrin udhë aplikimet, cilat do të jenë afatet e reja të shqyrtimit të aplikimeve?”, thotë ai për mediat.
Në fund të muajit qershor, kryeministri Edi Rama bashkë me drejtuesen e re të ASHK-së Dallëndyshe Bici njoftoi se 3 korriku do të ishte fundi i sporteleve fizike në Kadastër dhe fundi i ‘futjes së miqve’ për të nisur epokën e re digjitale në këtë institucion.
Pothuajse dy muaj më vonë, digjitalizimi duket të jetë çdo gjë përveç se eficiente. Në vetvete proceset digjitale kanë funksionuar, ngërçi është në zyrat fizike të Kadastrës, atje ku përgatiten përgjigjet.