Të gjithë ata qytetarë që kanë punuar në ish-kooperativat e ndërmarrjet, por nuk e kanë të dokumentuar, s’do të kenë më nevojë të përplasen dyerve të gjykatave me qëllim për të njohur vitet e punës.
Ndonëse ndër vite janë bërë tentativa nëpërmjet nismave ligjore, është Ministria e Ekonomisë e cila po merret aktualisht.
Projektligji i publikuar në konsultimet publike, ka si objektiv njohjen e viteve të punës nga mosha 18 vjeç deri në tetor 1993 për ndërmarrjet shtetërore, tetor 1992 për ndërmarrjet bujqësore dhe korrik 1991 për kooperativat. Duke bërë që një punonjësi mashkull ti mungojnë deri nga14-16 vite pune, ndërsa femrave nga 11-13 vite.
“Miratimi i këtij projektligji, do të mundësonte njohjen e periudhave të sigurimit pa pengesa procedurale, siç ndodh kur dokumentacioni që pasqyron periudhën e vjetërsisë në punë paraqet mangësi që e bëjnë të pamundur njohjen e saj administrativisht, pa shpenzime për përfituesit dhe mbi të gjitha do të mundësonte përfitimin e një pensioni, të paktën sa masa e pensionit social.”
Në shumë raste regjistrat e këtyre kooperativave e ndërmarrjeve janë dorëzuar të mangët ose nuk janë dorëzuar fare. Një pjesë e këtyre regjistrave u shkatërruan edhe gjatë trazirave të vitit 1997.
Në aspektin financiar nëse të drejtat e përfitimit nga ky ligj do të shtrihen në kohë me prapaveprim, përbën një kosto mjaft të lartë. Janë 1.7 miliardë lekë në vit të munguara për qytetarët që kanë punuar në ish-kooperativat bujqësore, dhe 5.2 miliardë lekë për ata në ish-ndërmarrjet shtetërore.
Ka një procedurë të caktuar përpara se të quhet njohja e kontributeve për vitet që kërkohen. Personi që kërkon të njohë vite pune që nuk figurojnë në regjistër, duhet të vërtetojnë më parë, që, për periudhën e caktuar ka qenë banor i një territori ku ka patur kooperative e ndërmarrje. Po ashtu nuk duhet të ketë qenë në burg apo s’ka përfituar pension të plotë invaliditeti.
Ndërsa deklarimi i rremë i kohës së punësimit pranë ish-kooperativave bujqësore nga personat kërkues përben vepër penale dhe dënohet sipas legjislacionit në fuqi.