Nga Aurora Sulçe
Shqipëria ka zyrtarisht 2,4 milionë banorë. Një shifër që ka ardhur duke u tkurrur në vite, për shkak të disa valëve emigrimi, që fatkeqësisht vijjnë ende. Por, pakësimi është vetëm një element.
Emigrimi ka shkaktuar edhe rritjen e moshës mesatare të popullsisë. Kjo do Shqipëria ka zyrtarisht 2,4 milionë banorë. Një shifër që ka ardhur duke u tkurrur në vite, për shkak të disa valëve emigrimi, që fatkeqësisht vijjnë ende. Por, pakësimi është vetëm një element.
Emigrimi ka shkaktuar edhe rritjen e moshës mesatare të popullsisë. Kjo do të thotë se sot, përveçse më pak, jemi edhe më të plakur.
Të dhënat janë të Censit 2023, realizuar nga Instituti i Statistikave.
Teorikisht censet ofrojnë të dhëna të vlefshme për të hartuar politika më të mira në arsim, shëndetësi, ekonomi dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Të dhënat e fundit për tkurrjen dhe plakjen e popullsisë të bëjnë të reflektosh dhe shtojnë përpara emergjencën e ndryshimit të të gjitha strategjive të zhvillimit dhe politikave të ndërmarra deri më tani.
Por, çfarë ka ndodhur me popullsinë e Shqipërisë në vite?
Popullsia e Shqipërisë ka arritur aktualisht në 2,4 milionë banorë, duke pësuar një rënie prej rreth 420 mijë banorë ose me 13,8% kundrejt censit 2011. Një tendencë që ka vijuar gjatë dekadave të fundit, nëse shohim censin e vitit 1989. Qartazi duket se Shqipëria ka hyrë në një fazë rënie pa kthim të popullsisë.
Largimi i fuqisë punëtore dhe vitet e fundit edhe shtresës së mesme, që janë të kualifikuarit, ka krijuar probleme në funksionimin e biznesit dhe produktivitetin e ekonomisë. Por, tkurrja e popullsisë është vetëm shqetësimi i parë që Censi 2023 nxori në pah. Problemi i dytë është plakja me ritme të frikshme. Numri i të rinjve po bie me shpejtësi, ndërsa ai i të moshuarve po rritet ndjeshëm.
Sipas Censit, raporti i varësisë së të rinjve ka zbritur aktualisht në 24% nga 30,4% që ishte në censin 2011, ndërsa raporti i të moshuarve është rritur në këtë periudhë me 13,7%.
Të dhënat e detajuara tregojnë edhe grupmoshat që kanë pësuar në vite luhatjet më të ndjeshme.
Kur u zhvillua censi 2011, në të gjithë vendin u numëruan mbi 268 mijë të rinj të grupmoshës 15-19 vjeç, por në censin 2023 numri i tyre gati u përgjysmua. Kjo grupmoshë ka pasur edhe rënien më të madhe në periudhën ndërmjet censeve, si në numër dhe në përqindje. Kjo tregon qartazi se numri i të rinjve në Shqipëri po bie me shpejtësi dhe shpjegohet me emigracionin e lartë të të rinjve dhe familjeve me fëmijë pas vitit 2016.
Në krahun tjetër, rritjen më të fortë në popullsinë e përgjithshme e kishin të moshuarit mbi 85 vjeç.
Grupi i popullsisë 85-89 vjeç arriti në mbi 26 mijë persona në censin 2023, nga rreth 14 mijë të tillë më vitin 2011, me rritje 79%. Një tregues i qartë i plakjes së popullsisë me ritme shumë të shpejta.
Por, cilat janë pasojat në ekonomi të një popullsie të plakur?
Efektet janë afatshkurtra dhe afatgjata dhe kanë nisur të ndihen tek ne. Ajo që ndodh janë problemet me gjetjen e burimeve njerëzore në tregun e punës, mungesa këto që çojnë në uljen e produktivitetit të ekonomisë; në një ulje të të ardhurave në tërësi në ekonomi. Ndërkohë që shtrimi i të moshuarve kërkon më shumë shpenzime nga buxheti i shtetit për skemën e pensioneve.
LEXO EDHE: “Pensionet Private, Pensionet e së Ardhmes“
Censi 2023 konstatoi lëvizjet masive të popullsisë në dekadën e fundit në dy drejtime: jashtë vendit që njihet si emigracion dhe drejt zonave të tjera që njjihet si migrimi i brendshëm.
Për shkak të zhvendosjes brenda territorit, përafërsisht një e treta e popullsisë shqiptare, ose rreth 32%, banon në Qarkun e Tiranës.
Qarku i dytë me përqindjen më të lartë të popullsisë është Fieri me rreth 10%, ndjekur nga Elbasani dhe Durrësi. Ndërsa qarqet më pak të populluara janë Gjirokastra dhe Kukësi, me më pak se 3%.
Çfarë do të thotë një përqendrim i tillë i popullsisë për ekonominë?
Qartazi duket se në territor është krijuar trekëndëshi Tiranë, Durrës, Fier. Në këtë trekëndësh ndodhet pjesa më e madhe e popullsisë dhe rrjedhimisht edhe e bizneseve.
Ky trekëndësh me këto tre qarqe është kontribuesi kryesor në rritjen ekonomike dhe rrjedhimisht, edhe përfituesi kryesor i saj. Kjo do të thotë se vendet e punës janë përqendruar këtu, së bashku me investimet publike dhe private dhe rrjedhimisht, edhe zhvillimi. Pjesa tjetër e qarqeve dhe e territorit është e përjashtuar nga rritja ekonomike dhe mundësitë për zhvillim.
Ekspertët shpjegojnë se centralizimi i popullsisë në pak zona është një dukuri, me të cilën janë përballur edhe vendet e tjera dhe ka modele se si kjo mund të amortizohet dhe si mund të zhvillohen zonat e braktisura.
Largimi jashtë vendit i një pjese të konsiderueshme të shqiptarëve, si dhe vendosja brenda territorit e një pjese tjetër është një ndër arsyet pse shumë banesa kanë mbetur bosh.
Sipas të dhënave zyrtare të censit, në vitin 2023 rezultuan mbi 1 milion banesa në të gjithë vendin. Por, stoku i banesave është rritur me gati 75 mijë që nga regjistrimi i vitit 2011.
Një dukuri kjo që, sipas ekspertëve, ka edhe arsye të tjera. Por, investimi në banesa të dyta apo të treta, edhe ai i shqiptarëve të diasporës, nuk konsiderohet nga ekspertët si alternativa më e mirë, pasi bëhet fjalë për një kapital që në shumë raste është i fjetur.
Shqipëria ndodhet sot në këto kushte: me më pak popullsi, me më pak të rinj e më shumë të moshuar e më shumë shtëpi bosh.
Ekspertët shpjegojnë se jemi vonë me politikat për të frenuar pasojat e emigrimit, përballë edhe agresivitetit të vendeve të zhvilluara për të marrë fuqi punëtore nga shtete më të varfra.
Censi 2023 nxori në pah dinamikat e forta në lëvizjen e njerëzve, të ecurisë së grupmoshave të caktuara, zhvillimit të territorit dhe investimeve të tyre në tregun e pasurive të patundshme.
Dinamika që shtrojnë përpara sfida ku kryesorja është mbajtja e njerëzve në vend.
Gjithçka nis nga pranimi. Njerëzit kanë të drejtë të lëvizin dhe të jetojnë ku të duan. Por, detyra e çdo qeverie dhe institucioneve është të mos lejojë braktisjen e një vendi, atë që po ndodh tashmë prej shumë vitesh e që do të vijojë nëse nuk merren masa.