I përkasin njësisë administrative të Shishtavecit në Bashkinë e Kukësit, por thuajse të gjitha shërbimet dhe tregtinë e kryejnë me komunën e Dragashit në Kosovë.
Ky është realiteti i mbi 820 banorëve të fshatit Borje, të cilët e kanë të pamundur të lidhen dhe të marrin shërbime në Kukës për shkak të rrugës tejet të amortizuar.
Në këto kushte, ato detyrohen të kalojnë nëpërmjet territorit të Kosovës për të vajtur në Kukës vetëm për çështje dokumentacioni. Pasi punët dhe shërbimet e përditshme i mbarojnë në Dragash.
“Rruga është shumë e mirë në Dragash, bëjmë pazarin, shesim edhe patate. Kurse në Kukës nuk është rruga e mirë. Është katastrofë”, thotë një banore e zonës për A2 CNN.
Situata është e njohur edhe për kryetarin e komunës së Dragashit në Kosovë, i cili shprehet se institucionet e kësaj komune kanë hapur dyert për banorët e zonës kufitare në Shqipëri dhe në të njëjtën kohë apelon që institucionet shqiptare t’i hedhin sytë nga kjo zonë.
“Janë fshatra të cilat jetojnë në kushte mizerje. Një apel qeverisë shqiptare, të investojë më shumë në këtë pjesë”, thotë për A2 CNN, Bexhet Xheladini, kryetar i komunës Dragash.