Këtë të mërkurë Britania i është rikthyer një lloj “mini lockdown” si në kohën e pandemisë ku gjysmë milionë punonjës të sektorit publik, përfshi 300 mijë mësues, kanë hyrë në grevën më të madhe që ka përjetuar Britania në më shumë se një dekadë.
Në atë që po krahasohet si Grevë e Përgjithshme, më shumë se 7 milionë fëmijë nuk do të shkojnë në shkollë, shumë prej të cilëve iu afektua arsimimi për shkak të pandemisë dhe mbylljes së shoqërisë. 100 mijë punonjës të administratës civile dhe 70 mijë staf nga universitetet britanike si dhe mijëra makiniste trenash apo staf i forcave të kontrollit kufitar, kanë hyrë në grevë, e cila ka marrë formën e një greve të përgjithshme edhe pse nuk quhet si e tillë.
Kjo greve do i kushtojë vetëm sot ekonomisë 200 milionë sterlina. Qeveria thotë se dita e sotme do të jetë “një ditë e vështire” për vendin, ndërkohë protestat bëhen për të kundërshtuar planet e debatueshme të qeverisë konservatore të Rishi Sunak për një ligj të ri për nivelin minimal të shërbimit gjatë grevave, që sipas opozitës dhe sindikatëve bëhet për të shuar lëvizjen sindikale në maksimum, edhe kur politikat ekonomike të qeverive çojnë në dëmtim të nivelit ekonomik të qytetareve dhe punonjësve, të cilët duan të hynë në greve për këtë shkak.
Padyshim protestohet edhe për rritje page në kushtet kur deputete të partisë në pushtet thonë se me këto kërkesa “po u përkedhelet jetesa” grevistëve dhe nëse rriten pagat, inflacioni do të dëmtojë ekonominë më shumë, një ekonomi e cila sipas FMN-së këtë vit do të ketë rritjen më të vogël ndër vendet më të industrializuara.