Stuhitë intensive që janë duke goditur Evropën qendrore kanë mbërritur edhe në Itali, ku shiu i dendurr dhe erërat e forta kanë shkaktuar përmbytje në disa rajone.
Në shumë qytete italiane raportohen dëme të mëdha materiale, ndërsa fatmirësisht nuk ka raportime për humbje në njerëz.
Paralajmërimet për mot të rëndë janë në fuqi në Emilia-Romagna dhe Marche për 24-36 orët e ardhshme. Shkollat do të mbyllen të enjten dhe njerëzit janë këshilluar të shmangin udhëtimet dhe, kur është e mundur, të punojnë nga shtëpia.
Përmbytjet në Emilia-Romagna në maj 2023 morën 17 jetë dhe shkaktuan dëme në vlerë prej 8,5 miliardë eurosh.
Si po ndikojnë ndryshimet klimatike
Një raport i OKB-së në fillim të muajit gusht, tregon se, ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale po bëhen gjithmonë e më shpesh shkak për dukuri natyrore mëvtë dhunshme e të shoqëruara me miliarda dollarë dëme.
Rritja e tenperaturave, sipas ekspertëve, pritet të sjellë ndryshime të pakthyeshme, si shkrirja e akullnajave, ngritja e nivelit të detit, përmbytje shkatërruese e thatësirë në të gjithë botën.
Pra, “lufta” me natyrën është një tjetër sfidë me të cilën njerëzimi pret ende i pavetëdijshëm të përballet.
“Deep Sky Research” analizoi miliona të dhëna për të krijuar një model të reshjeve dhe stuhive bazuar në të dhënat klimatike të 4 dekadave të fundit. Dhe studimet tregojnë se:
- Frekuenca e reshjeve ekstreme të stuhisë është rritur me 300%.
- Reshjet intensive që ndodhnin vetëm një herë në 100 vjet tani do të ndodhin çdo 25 vjet.
- Shkatërrimet dhe vdekjet që shkaktojnë reshjet intensive dhe përmbytjet kanë 300% më shumë probabilitet se 40 vjet më parë.
- Shumica e vdekjeve të shkaktuara nga uraganet janë rezultat i vëllimeve të mëdha të ujit që bien në zonat bregdetare.
- Mundësia e stuhive më të vogla është dyfishuar.
Sipas ‘Munich Re’, humbjet globale në gjysmën e parë 2024, si pasojë e katastrofave natyrore, arritën në 120 miliardë dollarë. Këto humbje tejkaluan qartë vlerat mesatare për 30 vitet e mëparshme.
68% e humbjeve totale dhe 76% e humbjeve të siguruara u shkaktuan nga fatkeqësi si stuhi, përmbytje dhe zjarre.
Sa e rrezikuar është Shqipëria nga ndryshimet klimatike?
Fatkeqësisht, as Shqipëria nuk përjashtohet nga këto rreziqe.
Për shkak edhe të pozicionit gjeografik, vendi ynë është shumë i cënueshëm ndaj fenomeneve natyrore, përfshirë këtu edhe tërmetet.
Sipas një raporti të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Shqipëria humb si pasojë e ndryshimeve klimatike mbi 198 milionë dollarë në vit, 16.5 milionë në muaj apo rreth 550 mijë dollarë në ditë, kryesisht në formë zjarresh, përmbytjesh e tërmetesh.