14.5 C
Tirana
Wednesday, February 25, 2026
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetIntegrimi i sigurimeve në vepra publike përmirëson mbarëvajtjen e projekteve

Integrimi i sigurimeve në vepra publike përmirëson mbarëvajtjen e projekteve

Problematikat të shumta janë vërejtur së fundmi gjatë punimeve në rrugët nacionale, e që shpesh këto rrugë i ka kthyer në “gropa thithëse” për paranë publike.

Pak ditë pas inaugurimit të tyre, ose gjatë fazës së ndërtimit, janë hasur me probleme infrastrukturore të mprehta.

Sikur të integroheshin sigurimet në projektet publike, këto problematika, financiarisht, do t’u ngarkoheshin kompanive të sigurimit, pa e tensionuar buxhetin e shtetit, pa e rrezikuar borxhin publik dhe pa e ngarkuar qytetarin me më shumë taksa.

Cilat janë sigurimet kryesore të rrugëve sot?

Rrugët shqiptare duhet të kenë sigurim që garanton punimet e kryera.

Aktualisht, autoritetet nuk e konsiderojnë këtë si avantazh konkurrues apo detyrim ligjor në procesin e përzgjedhjes së fituesve.

Mirëpo një VKM e vitit 2019, nr. 693, neni 3, parashikon shtesën ndryshuese të VKM 408/2015, përmes shtimit të nenit 27/2, ku konkretisht në shkronjën i., për pajisjen me certifikatë përdorimi, liston edhe pajisjen me policën e sigurimit të përgjegjësisë së ndërtuesit për dëmtime të objektit të përfunduar si një nga kriteret.

Ky produkt sigurimi, i njohur si CAR, është për të gjithë ndërtuesit e pallateve, fabrikave, uzinave, aeroporteve, urave, autostradave, i shkëlqyer për të gjitha veprat publike. Autoriteti rrugor ka paraparë që kjo pikë nuk u takon veprave publike si ura dhe rrugët, por vetëm godinave të banimit. Deri më tani, zbatimi i kësaj VKM-je është kufizuar kryesisht te pallatet e banimit, ndërkohë që duhet të përfshijë çdo vepër publike dhe private, si shkolla, kopshte, ura, rrugë, ujësjellës-kanalizime dhe çdo ndërtim tjetër me ndikim publik.

Moszbatimi praktik i këtij detyrimi nga institucionet përgjegjëse, si Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Ministria e Infrastrukturës, ka bërë që dëmet nga defektet ndërtimore të përballohen nga buxheti i shtetit dhe në fund nga taksat e qytetarëve, në vend që kostot të mbuloheshin nga siguruesit sipas kontratave përkatëse.

Sipas nesh ky është një keqlexim, një aplikim i pjesshëm dhe me mangësi, që duhet kapërcyer, duhet korrigjuar, pasi financat publike kanë nevojë për amortizim si në rastin e godinave, ashtu edhe të veprave infrastrukturore si rrugët dhe urat.

Polica e sigurimit CAR, Construction All Risk, ofron mbulimin në sigurim nga të gjitha rreziqet për fazën e ndërtimit të objekteve dhe gjithashtu edhe për një afat garancie pas përfundimit të punimeve, që është 10 vjet.

Ky lloj sigurimi mbulon të gjitha dëmet e pësuara nga i siguruari (kontraktuesi apo nënkontraktuesi i punimeve), ashtu edhe dëmet që i siguruari mund t’i shkaktojë të tretëve. Kur bëhet bëhet fjalë për vepra publike si urat dhe rrugët, të mbrojtura gjithashtu janë edhe palët e treta që mund të jenë prej e aksidenteve të ndryshme gjatë ndërtimit.

Llogaria është e thjeshtë. Kur përllogaritet kostoja totale e veprës publike, 100%, shtohet 1-2% si CAR, sigurim ndërtimi nga të gjitha risqet dhe në totalin e 101%-102% të vlerës, garanton mosndodhjen e atyre ndodhive për të cilat jemi dëshmitarë në media: rrugë, që falë ndërhyrjeve riparuese emergjente të paplanifikuara, shkojnë në mbi 150-200% të vlerës fillestare. Sigurisht, kjo do të rriste më tej mbikëqyrjen për mbarëvajtjen e punëve dhe llogaridhënieve përgjatë fazes ndërtuese.

Çfarë ndodh nëse rruga shembet pak muaj pas inaugurimit dhe vepra është e siguruar me CAR?

Aktivizohet sigurimi dhjetëvjeçar, i njohur si “Sigurimi për Defekte të Fshehura” dhe barra financiare e dëmit i kalon kompanisë siguruese. Pse ndodh kjo? Sepse shembjet apo dëmtimet e urave dhe rrugëve brenda një periudhe më të shkurtër se 10 vjet nxjerrin në pah neglizhencën, gabimet e projektimit ose mosveprimit nga arkitektët, inxhinierët konstruktorë dhe inxhinierët e zbatimit gjatë ushtrimit të detyrës profesionale.

Në kushte normale, vepra të tilla infrastrukturore projektohen për një jetëgjatësi 50–80 vjet sipas standardeve të ndërtimit, ndaj çdo problem serioz që shfaqet në vitet e para lidhet zakonisht me cilësi të dobët ndërtimi dhe devijim nga standardet teknike.

Sigurimet mund të mbulojnë punimet e kryera, përgjegjësinë ndaj palëve të treta dhe dëmtimet nga fatkeqësitë natyrore, duke mbrojtur buxhetin e shtetit dhe buxhetin familjar të qytetarëve përdorues të këtyre rrugëve. Një sistem i tillë rrit disiplinën, kontrollin dhe vigjilencën e autoriteteve në mirëmbajtjen e rrugëve, duke garantuar që investimet në infrastrukturë të jenë të sigurta, të qëndrueshme dhe në përputhje me standardet evropiane.

Janë edhe dy sigurime të tjera që duhen njohur gjatë fazes së ndërtimit të rrugëve publike. Përgjegjësia profesionale e arkitektit dhe inxhinierit si edhe përgjegjësia profesionale e supervizorit, por me një mbulim deri në 15% të veprës dhe jo ashtu sic e kane percaktuar ne VKM e supervizoreve. Të kombinuara në paketë, mund të thuhet se problematikat, risqet e projekteve publike, më së pakti nuk do të pengojnë frymëmarrjen e ekonomisë vendase dhe në plan mikro, atë të shqiptarëve.

Mund të thuhet me siguri, se që nga dita e parë kur nisin punimet për një rrugë, qytetaria aktive mund ta kuptojë rëndësinë dhe mbarëvajtjen e projektit me një pyetje të thjeshtë:

A janë integruar sigurimet në këtë projekt?

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat