Insurance Europe ka përshëndetur nismën e Komisionit Europian për të hartuar një Strategji të Bashkimit Europian për Edukimin Financiar.
Dje, në njoftimin për shtyp, ata e cilësuan si një mundësi kyçe për të forcuar qëndrueshmërinë financiare të qytetarëve dhe për të mbështetur objektivat më të gjera të BE-së për përfshirje, qëndrueshmëri dhe investime afatgjata.
Sipas Insurance Europe, edukimi financiar dhe ai për sigurimet janë thelbësorë për t’u mundësuar individëve të menaxhojnë rrezikun, të planifikojnë të ardhmen dhe të marrin vendime të informuara financiare.
Federata thekson se përmirësimi i edukimit nuk është vetëm një çështje mbrojtjeje të konsumatorit, por edhe një mjet strategjik për të çliruar potencialin e plotë të Bashkimit për Kursime dhe Investime (SIU), duke nxitur më shumë pjesëmarrje në kursimet afatgjata dhe tregjet e kapitalit.
Insurance Europe ka bërë një thirrje të qartë që edukimi mbi sigurimet të përfshihet në mënyrë të drejtpërdrejtë në strategjinë e re të BE-së.
Në dokumentin strategjik përmes të cilit “Avancimi i edukimit financiar dhe të sigurimeve në BE” theksohet se vetëm 18% e qytetarëve të BE-së tregojnë njohuri të larta financiare, ndërsa të rinjtë janë veçanërisht të pambuluar.
Një sondazh i përbashkët me Parlamentin Rinor Europian tregoi se vetëm 11% e të rinjve ndihen se kanë marrë një edukim të mjaftueshëm financiar dhe për sigurimet në shkollë.
Insurance Europe i kërkon Komisionit Europian që:
-
edukimi financiar dhe për sigurimet të integrohet në kurrikulat kombëtare shkollore,
-
të promovohet mësimi gjatë gjithë jetës, nëpërmjet situatave të jetës që ofrojnë mundësi edukimi,
-
të garantohet përfshirja dhe qasja për të gjithë qytetarët.
Gjithashtu, federata rekomandon:
-
Përdorim më të fuqishëm të njohurive të sjelljes dhe mjeteve dixhitale për të krijuar ndikim konkret.
-
Informacion më të thjeshtë dhe miqësor për konsumatorin, që dija të kthehet në veprim.
-
Mjete për edukim dhe ndjekje të pensioneve për të ndihmuar planifikimin e të ardhmes.
-
Udhëzime të qarta mbi roli e ndikuesve në rrjete sociale në edukimin financiar.
-
Shfrytëzim të programeve ekzistuese të industrisë europiane të sigurimeve.
Sipas Insurance Europe, suksesi i strategjisë së BE-së për edukimin financiar do të varet nga aftësia e saj për të krijuar ndryshim të matshëm në sjellje, për të mbushur boshllëqet në dije dhe për të nxitur bashkëpunimin publik–privat, në mënyrë që të përfitojnë të gjithë qytetarët.