Në rang kombëtar, sektori bujqësor është punëdhënësi më i madh, por ky pozicion nuk vlen për dy bashkitë kryesore të vendit Tirana dhe Durrësi, ku struktura e ekonomisë dhe e punësimit dominohet nga sektorë të tjerë.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se, në Bashkinë e Tiranës, më e madhja në vend, sektori që kontribuon më shumë në punësim janë shërbimet, ndërsa në Bashkinë e dytë më të madhe, në vend atë të Durrësit, sektori i industrisë është punëdhënësi më i madh.
Në fakt duhet të ishte e kundërta, duke qenë se Durrësi është qytet bregdetar dhe ka të zhvilluar sektorin e turizmit.
Në Bashkinë e Tiranës, pesha e të punësuarve në sektorin e shërbimeve u rrit me 2.0 pikë % në vitin 2021, krahasuar me 2019. Në të njëjtën kohë është ulur përqindja e personave të angazhuar në sektorët e bujqësisë dhe industrisë (me -1.5 pikë % dhe -0.5 pikë % përkatësisht).
Në Bashkinë e Durrësit, industria regjistron një rritje të përqindjes së të punësuarve në këtë sektor (+2.2 pikë %), e ndjekur nga sektori i bujqësisë që shënon gjithashtu një përqindje më të madhe të punonjësve të angazhuar në të (+1.8 pikë %). Ndërsa, pesha e të punësuarve në sektorin e shërbimeve ulet me 4.0 pikë % gjatë së njëjtës periudhë 2019- 2021.
Në vitin 2021, treguesit e tregut të punës për dy bashkitë më të mëdha në vend, paraqesin një situatë të ndryshme të ecurisë në krahasim me vitin 2019.
Në Bashkinë e Tiranës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore u rrit me 0.4 pikë përqindjeje. Ky rezultat u ndikua nga rritja e treguesit për femrat me 1.1 pikë % (ndërsa për meshkujt treguesi ulet me 0.4 pikë %. Hendeku gjinor i pjesëmarrjes në forcat e punës ishte 13.3 pikë %, duke u ulur me 1.5 pp nga viti 2019
Në Bashkinë e Tiranës, gjatë viteve 2019-2021, shkalla e punësimit u rrit me 3.0 pikë % si rezultat i rritjes së treguesit si për meshkujt, ashtu dhe për femrat. Shkalla e papunësisë u ul me 4,6 pikë %, si pasojë e rënies së këtij treguesi kryesisht për meshkujt (-6,2 pikë %), dhe në një masë më të vogël për femrat, (të cilat regjistrojnë shkallë papunësie 2,7 pikë %) më të ulët në vitin 2021, krahasuar me vitin 2019).
Në Bashkinë e Durrësit, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës dhe, paralelisht me të shkalla e punësimit, kanë shënuar vlera më të larta në vitin 2021, krahasuar me vitin 2019. Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës u rrit me 1.3 pikë %, krahasuar me një vit më parë, me një kontribut që vjen kryesisht nga meshkujt, për të cilët treguesi rritet me 2.1 pikë %.
Shkalla e punësimit u rrit me 2.2 pikë % krahasuar me 2019, edhe ajo ndikuar kryesisht nga meshkujt që shënuan rritje të treguesit me 3.9 pikë %. Hendeku gjinor në shkallën e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore për Bashkinë e Durrësit regjistroi rritje me 1.7 pikë %, krahasuar me 2019, duke arritur në 19.3 pikë % në favor të meshkujve.
Në linjë me rritjen e normave të punësimit, shkalla e papunësisë ka shënuar rënie me 1.9 pikë %, si rezultat i kontributit të meshkujve (-3.3 pikë %), ndërsa femrat kanë shënuar trend të lehtë rritjeje.
Analiza e punësimit sipas veprimtarive ekonomike sipas INSTAT, tregon se shërbimet dhe bujqësia kanë pjesën më të madhe të të punësuarve, 44,3% dhe 33,8% përkatësisht, ndërsa të punësuarit në industri përbëjnë vetëm 21,9%. Tirana është qarku me përqindjen më të lartë të punësimit në shërbime (68,7%) dhe me përqindjen më të ulët të punonjësve në bujqësi (4,6%). Qarku me përqindjen më të lartë të punësimit në industri është Durrësi (39,4%), ndërsa qarku i Kukësit ka përqindjen më të ulët të punonjësve në këtë sektor (4,7%). Kukësi është qarku me përqindjen më të lartë të punësimit në bujqësi (69,6%), ndërsa Dibra paraqet nivelin më të ulët të punonjësve në shërbime (24,7%).
Gjatë periudhës 2019-2021, rritja më e lartë e shkallës së punësimit është regjistruar në qarkun e Gjirokastrës, me 2,6 pikë %, ndërsa ulja më e madhe është regjistruar në Vlorë (-7,5 pikë %). Rritja e shkallës së punësimit gjatë kësaj periudhe është më e lartë për femrat në qarkun e Gjirokastrës (+5,9) dhe në qarkun e Tiranës për meshkujt (+2,8 pikë %). Ulja më e lartë e këtij treguesi është regjistruar në Berat për meshkujt (-8,1 pikë %) dhe në Vlorë për femrat (-9,9 pikë %).