AMF: Ndryshimet e industrisë në sigurimet e Jo Jetës
Industria e sigurimeve Jo Jetës në Shqipëri ka shënuar rritje të dukshme gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025.
Raporti i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregon rritje si në vëllimin e primeve të shkruara bruto, ashtu edhe në numrin e kontratave. Të dhënat flasin për një treg më aktiv dhe me mbulim më të gjerë për qytetarët.
Primet e shkruara bruto të sigurimeve të Jo Jetës
Në raportin e publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare u vu re se industria e sigurimeve në vend, sa i takon 6-mujorit të parë të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, në drejtim të primeve të shkruara bruto, ka rritje.
7.59% prime të shkruara bruto më tepër shënon gjysëmviti i parë i vitit 2025 krahasuar me paraardhësin.
Konkretisht 11,670,974,000 Lekë është vëllimi i primeve të shkruara bruto në 6-mujorin e parë të këtij viti. 10,847,245,000 Lekë ishte totali i gjysëmvitit të parë në vitin 2024.
Ndryshimet më të mëdha në përqindje, me rënie, i kanë sigurimet e anijeve që kanë rënie 84.71%, sigurimet nga aksidentet me rënie 10.44%, sigurimet nga dëmtime të tjera në prone me rënie 9.35%.
Ndryshimet më të mëdha në përqindje, me rritje, ndodhën në TPL, përgjegjësitë motorrike ndaj palëve të treta, me 13.38% rritje dhe në sigurim të mjeteve tokësore, KASKO, me rritje 10.09%.
Si lloje të sigurimeve në sigurimet e Jo Jetës, peshën më të madhe edhe për vitin 2025 e zënë sigurimet e përgjegjësive ndaj palëve të treta, 61.24%, sigurime të cilat kanë edhe një rritje të konsiderueshme prej 13.38% nga 6-mujori i parë i vitit paraardhës, çfarë shënon edhe rritjen më të madhe si përqindje.
Rënien më të madhe në industri, të shprehur në përqindje, e ka sigurimi i marinës dhe aviacionit: 46.26% rënie në gjysëmvitin e parë të këtij viti krahasuar me vitin paraardhës.
Për pjesën që zënë në raport me totalin që industria e sigurimeve të Jo Jetës regjistron si prime të shkruara bruto, pas TPL-ve me 61.24%, vijnë sigurimet nga zjarri dhe dëmtimet e tjera në prone me 16.03%, sigurimet motorike, klasat e tjera me 8.77%, sigurimet për aksidentet dhe sëmundjet me 7.24%, sigurimet e përgjegjësisë civile me 4.33%, sigurimet e kreditit dhe garancisë me 1.73% dhe e fundit, marina dhe aviacioni, me 0.64% të vëllimit të primeve të shkruara bruto në total.
Dëmet e paguara të Jo Jetës
Në raportin e publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare vërehet se industria e sigurimeve në vend ka paguar1.27 % dëme më tepër në 6-mujorin e parë të këtij viti, krahasuar me gjysëmvitin e parë të vitit paraardhës.
Konkretisht, në gjysëmvitin e parë të vitit 2024, nga kompanitë e sigurimeve ndaj të siguruarëve u paguan 3,673,216,000 Lekë. Ndërsa 3,719,848,000 Lekë u paguan në gjysëmvitin e parë të këtij viti.
Ndryshimet më të mëdha në përqindje, me rënie, sa u takon dëmeve të paguara këtë vit ndodhën te sigurimet e garancive (70.69% rënie) dhe sigurimet nga zjarri dhe forcat e natyrës (56.04% rënie).
Me rritje në drejtim të dëmeve të paguara nga industria e sigurimeve paraqiten sigurimet e dëmtimeve të tjera në pronë (1764.12% rritje), sigurimi i aksidenteve (57.09%) dhe sigurimi i përgjegjësisë civile të përgjithshme (166.59% rritje).
Për pjesën që zënë në raport me totalin që industria e sigurimeve të Jo Jetës regjistron si pagesa të dëmeve, edhe për këtë gjysëmviti i pari renditet zëri i sigurimeve TPL, që paguan 67.49% të totalit të dëmeve të paguara, pastaj 11.73% paguhen për të siguruarit motorike dhe klasa të tjera, 10.79% të dëmeve paguhen për të siguruarit për zjarr dhe dëmtime të tjera të pronës, 9.14% për sigurimet e aksidenteve dhe të sëmundjeve, 0.81% për sigurimet kredit dhe garanci, 0.03% për përgjegjësi civile dhe 0.02% për marine, aviacion dhe transport.
Numër kontratash dhe numër dëmesh të paguara në sigurimet e Jo Jetës
Në numër kontratash të nënshkruara, industria e sigurimeve nënshkroi 7.18% më shumë këtë gjysëmviti të parë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
671,058 kontrata sigurimesh u nënshkruan në 6 muajt e parë të këtij viti, 626,077 u nënshkruan për të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rënia e vetme në drejtim të numrit të kontratave në sigurimet e Jo Jetës u shënua te sigurimet nga aksidentet dhe sëmundjet, me 1.31% më pak se sa për të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.
Rritjen më të madhe, me 11.34% e shënuan sigurimet TPL.
36,124 raste dëmesh u paguan për vitin 2025. 34,415 ishin paguar në 6-mujorin e parë të vitit paraardhës. Këto shifra dëshmojnë rritje me 4.97% në numrin e dëmeve të paguara.
Rënien më të madhe, me 12.5%, e shënuan rastet e dëmeve të paguara në kredit dhe garanci, po të krahasohet gjysëmviti i parë i këtij viti me paraardhësin, ndërsa rritjen më të madhe, me 10.67%, e shënuan sigurimet e përgjegjësisë civile.
Rezultatet e këtij gjashtëmujori tregojnë një sektor sigurimesh gjithnjë e më të qëndrueshëm dhe konkurrues. Rritja e TPL-ve dhe e kontratave të reja tregon për një ndërgjegjësim më të madh ndaj mbrojtjes financiare. Megjithatë, uljet në disa klasa sigurimesh mbeten sfidë për industrinë.