Gjatë periudhës janar-tetor 2025 tregu i sigurimeve në Republikën e Kosovës, sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës, Departamenti i Mbikëqyrjes si Sigurimeve, ka patur një rritje me 6.14% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Krahasuar me periudhën janar-tetor 2024, volumi i primeve të shkruara bruto këtë 10-mujor të vitit 2025 është rritur për 8,605,482 euro më shumë, duke arritur gjithsej shumën prej 148,755,208 euro.
Numri i kontratave u rrit me 6.53%, përkatësisht arriti në 1,597,751 kontrata.
Jo-jeta në tregun e Kosovës
Volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e Jo-Jetës arriti shumën 142,073,203 euro duke shënuar një rritje në masën prej 6.15% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i kontratave në sigurimin e Jo-Jetës arriti në 1,529,326 duke shënuar një rënie në masën prej 7.57% krahasuar me periudhën e njëjtë janar-tetor 2024.
Sigurimet e jetës në tregun e Kosovës
Volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e Jetës arriti shumën 6,682,005 euro duke shënuar një rritje në masën prej 6.01% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Numri i kontratave në sigurimin e Jetës arriti në 68,425 duke shënuar një rritje prej 24.89% më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë Janar-Tetor 2024.
Gjatë periudhës Janar-Tetor 2025, janë paguar gjithsej 72,308,691 euro dëme ose 19.00% më shumë se gjatë periudhës së njëjtë Janar-Tetor 2024.
Numri i dëmeve të paguara gjatë periudhës Janar-Tetor 2025 në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak është rritur për 4,896 dëme duke arritur në 191,540 nga të cilat 190,872 dëme janë paguar nga kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës dhe 668 nga kompanitë e sigurimit të Jetës.




