5.5 C
Tirana
Thursday, November 21, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetHumbjet e bankave nga rreziqet operacionale u rritën për të dytin vit...

Humbjet e bankave nga rreziqet operacionale u rritën për të dytin vit radhazi në 2023

Humbjet e bankave nga rreziqet operacionale u rritën për të dytin vit radhazi gjatë vitit 2023.

Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, këto humbje arritën vlerën bruto të 500 milion lekëve, në rritje me 160% krahasuar me vitin 2022.

Rritje të humbjeve krahasuar me një vit më parë kanë raportuar tetë banka (njëra prej të cilave ka raportuar rreth 41% të humbjeve të sistemit), dy prej tyre kanë raportuar rënie në nivelin e humbjeve dhe vetëm një bankë nuk ka raportuar humbje nga rreziqet operacionale.

Raporti i humbjeve ndaj kërkesës për kapital paraqet përkeqësim nga viti i kaluar, duke shënuar rritje në 5.18%, nga 2.31% në vitin 2022, si pasojë e rritjes së humbjeve operacionale.

Humbjet operacionale të bankave lidhen me rreziqet të ndryshme të natyrës operacionale, por kryesisht kanë të bëjnë me vjedhje apo përvetësim të fondeve, qoftë nga persona të brendshëm ose të jashtëm.

Rreziku më tipik për bankat në përgjithësi është ai i grabitjeve të armatosura, qoftë në degët e bankave ose të vlerave monetare në transport. Megjithatë, në vitet e fundit, nuk janë raportuar tentativa për grabitje të këtij lloji.

Nga ana tjetër, në historinë e sektorit bankar shqiptar nuk kanë munguar gjithashtu rastet e përvetësimit të kryera nga punonjës të bankave.

Por, me rritjen e përdorimit të teknologjisë, bankat janë gjithnjë e më të rrezikuara ndaj rrezikut të krimit kibernetik.

Banka e Shqipërisë vëren se ndryshimet e vazhdueshme në industrinë e teknologjisë së informacionit, si dhe rritja e ndërgjegjësimit në lidhje me problematikat e ndryshme që rrjedhin nga përdorimi i saj, veçanërisht në lidhje me sigurinë kibernetike dhe atë të informacionit, kanë ndikuar në shtimin e vëmendjes dhe investimeve nga ana e bankave.

Vëmendje e veçantë po i kushtohet rritjes së sigurisë së informacionit dhe monitorimit të vazhdueshëm të rrezikut në lidhje me të.

Gjatë vitit 2023, një peshë të madhe të këtyre investimeve kanë zënë ato për sigurinë kibernetike, në përgjigje të situatës gjeopolitike në të cilën ndodhet Shqipëria.

Një ndikim të rëndësishëm në rishikimin e sistemeve të sigurisë së informacionit ka pasur miratimi i rregullores për autentifikimin e thelluar të klientit, e cila vendos kërkesa specifike lidhur me sigurinë e transaksioneve të kryera në rrugë elektronike në distancë.

Banka e Shqipërisë shprehet se kuadri i politikave dhe procedurave në lidhje me TIK-në ka ardhur duke u pasuruar në vijimësi, por për shkak të spektrit të gjerë të aktiviteteve që mbulon, si dhe zhvillimeve dinamike në fushën e teknologjisë, plotësimi dhe përmirësimi i tij mbetet një proces i vazhdueshëm.

Më herët këtë vit, Banka e Shqipërisë vlerësonte në raportin e saj vjetor se sektori bankar tregoi një aftësi të përmirësuar për t’iu përgjigjur sulmeve kibernetike vitin e kaluar.

Edhe përgjatë vitit 2023, sektorë kritikë, përfshirë sistemin bankar dhe me gjerë atë financiar, kanë qenë nën kërcënime të vazhdueshme kibernetike të përshkallëzuara. Kjo situatë u shoqërua me rritjen e nivelit të alarmit dhe të masave parandaluese, në raport të drejtë me kërcënimet.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë vëren se sistemi financiar ka administruar në mënyrë të kujdesshme sulmet e vazhdueshme dhe të shumëllojshme, të cilat kanë pasur si synim fundor dëmtimin e imazhit dhe besimit ndaj institucioneve financiare dhe, veçanërisht, bankave në publikun e gjerë, më shumë sesa për qëllime përfitimi të vlerave monetare.

Për rrjedhojë, banka qendrore vë në dukje se sulmet kibernetike nuk kanë arritur të përmbushin në mënyrë të suksesshme qëllimin e tyre.

Gjatë vitit 2023 veçohen sulmet e mohimit të shërbimit (DoS – Denial of Service) të vërejtura gjatë tremujorit të tretë, të cilat kanë pasur si shënjestër edhe bankat e nivelit të dytë, me qëllim ndërprerjen e shërbimeve të ofruara nga faqet e tyre të internetit.

Ndërsa në tremujorin e katërt të vitit 2023 pati disa tentativa për smishing (imitimin e faqeve zyrtareve të bankave), të cilat kanë rezultuar gjithashtu të pasuksesshme, falë masave të marra nga bankat dhe fushatave të ndryshme për ndërgjegjësimin e klientëve.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë thekson se po vërehet një vëmendje e shtuar e klientëve në rastet e aksesimit në distancë të lidhjeve me shërbimet e bankës, dhe, nga vetë klientët e bankave, janë identifikuar dhe raportuar disa tentativa për vjedhjen e kredencialeve të tyre.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se ka forcuar shkallën e komunikimit dhe ndërveprimit veçanërisht me sektorin bankar dhe autoritetet rregulluese përgjegjëse të fushës, duke shtuar fokusin dhe vëmendjen në këtë drejtim, veçanërisht në procesin e inspektimeve në vend./Monitor

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat