Origjina e kontratës greke të bottomry-t (një lloj huaje detare ku anija ose ngarkesa vihen si kolateral) është ende çështje hamendjeje, por ka shumë gjasa që të jetë huazuar nga praktikat babilonase të përmendura më lart.
Sot, ngushtësisht bottomry-ja si koncept juridik i tregtisë ndërkombëtare, është një term i vjetër juridik detar që përshkruan një marrëveshje huaje të lidhur me anijen. Me fjalë të thjeshta, koncepti nënkupton hipotekën detare mbi anijen.
Nuk ka dëshmi për ndonjë kontratë të tillë në historinë greke para shekullit të IV para Krishtit.
Në atë kohë përmendet një kontratë që, sipas studiuesit Boucher më 1806, ishte praktikisht e njëjtë me atë që përdorej në Francë në kohën e tij dhe që, me pak përshtatje, mund të përdorej edhe sot.
Duke qenë se një sistem kaq kompleks biznesi, siç tregon ekzistenca e kësaj kontrate, kërkon shumë vite zhvillim, është e pamundur që të ketë lindur në Greqi.
Një nga argumentet pse e themi këtë, është sepse ligjet greke përpara reformave të Solonit (rreth vitit 590 para Krishtit) ishin të pafavorshme për debitorët. Edhe Soloni vetë i dekurajonte udhëtimet tregtare përtej detit.
Nga kjo mund të thuhet se grekët e morën këtë zakon nga ndonjë burim i jashtëm.
Ky burim, më së shumti, ishte i njëjti prej nga ata morën njohuritë mbi matematikën, lundrimin, peshat dhe masat, monedhën, alfabetin etj., pra nga Babilonia.
Ndërmjetësit? Fenikasit.
Fenikia, gjatë periudhës nga 1600 deri në 1000 para Krishtit, ishte fuqia më e madhe detare e Mesdheut.
Rreth vitit 1600 p.K., gjashtë apo shtatë qytetet që përbënin Fenikinë, të cilat kishin tashmë një tregti të madhe dhe të pavarur, u bashkuan në një federatë me Sidonin si qendër kryesore, në një mënyrë të ngjashme me Lidhjen Hanseatike (një bashkim qytetesh tregtare, që punonin së bashku për të mbrojtur tregtinë e tyre dhe për të pasur më shumë fuqi përballë piratëve, princërve dhe taksave të larta në Evropën Veriore përgjatë Mesjetës), që u formua 3000 vjet më vonë.
Pozita gjeografike dhe natyra e Fenikisë e bënin të domosdoshme që ajo të zgjerohej si një komb tregtar detar, të themelonte tregje dhe qendra tregtare përtej detit dhe ajo e shfrytëzoi këtë mundësi me sukses.
Fenikasit u bënë një urë lidhëse mes tre kontinenteve të botës së njohur të asaj kohe.
Siç thotë Maspero: “Të gjitha racat e botës antike duket sikur u takuan në Azinë e Vogël.”
Për të zhvilluar tregtinë e tyre të gjerë dhe të shpërndarë, ata u detyruan të themelonin koloni dhe depo tregtare në vende të ndryshme përgjatë brigjeve të Mesdheut.
Gjatë një periudhe të gjatë të mosveprimit detar nga grekët — ndërmjet epokës heroike dhe rilindjes së tregtisë në kohën historike — anijet fenikase lundronin vazhdimisht mes ishujve të Egjeut.
Kjo veprimtari tregtare e pandërprerë për dy shekuj është mëse e mjaftueshme për të shpjeguar ndikimin që Fenikasit patën mbi Greqinë.
Vetë fenikasit kishin mësuar zakonet tregtare nga babilonasit me të cilët kishin marrëdhënie të ngushta tregtare.
Babilonasit ishin tregtarë të mëdhenj tokësorë në Azinë e Vogël, ndërsa Fenikasit ishin tregtarët dhe bartësit detarë.
Prandaj është pothuajse e sigurt që Fenikasit, kur morën nga Babilonasit njohuritë mbi kontratën e “Bottomry” (një formë kredie detare), ua përcollën grekëve, por në një formë të përshtatur.
Nga këtu, hipotetizojmë, se bottomry-ja ka mbetur si koncept ngushtësisht detar edhe në fjalorin juridik të sotëm.
Ndërsa tregtia babilonase ishte tokësore dhe kontratat e tyre mbulonin humbjet në udhëtimet tokësore, ajo fenikase kishte të bënte vetëm me rreziqet detare.
Kështu, edhe kontrata greke që rrjedh nga ajo fenikase u përqendrua vetëm te rreziqet detare — gjë që e mbështet teorinë se grekët e morën këtë formë kontrate nga Fenikasit, të cilët nga ana e tyre e kishin marrë nga Babilonasit.