Gripi i shpendëve i konfirmuar në disa ferma të Kasharit në Tiranë, nuk rezulton të ketë prekur qytetarë apo fermerë.
Instituti i Shëndetit Publik konfirmon se deri tani nga analizat e kryera në njerëz nuk ka raste të infektuar me influencën aviare, H5N1.
Silva Bino, shefja për sëmundjet infektive në Institutin e Shëndetit Publik thotë se rreziku i infektimit nga shpendët tek njeriu është i lartë tek personat që kujdesen për rritjen e tyre.
Virusi transmetohet përmes kontakteve të afërta dhe spërklave të shpendit të sëmurë. Ndërsa shenjat e H5N1 te njeriu, fillimisht ngjasojnë me gripin e stinës, por rëndimi i frymëmarrjes dhe shfaqja e shenjave të tjera duhet të alarmojnë fermerin për të raportuar te mjeku situatën e tij.
Por me rishfaqjen e gripit të shpendëve Silva Bino këshillon qytetarët që vezët dhe mishin e shpendëve ta gatuajnë në temperature të larta.
Ekspertët e ISHP i bëjnë thirrje fermerëve dhe drejtuesve të pularive që asgjësimi i shpendëve të sëmura bëhet sipas protokolleve të duhura.