Në gjysmën e familjeve në Shqipëri banojnë persona që janë mbi 60 vjeç tregojnë të dhënat paraprake të detajuara të Cens 2023.
Në të gjithë vendin u numëruan 755,950 njësi familjare, ku 49% e tyre dominohen nga persona në moshë pensioni.
Të dhëna më të detajuara tregojnë se 195 mijë familje kishin persona të grup-moshës 60-69 vjeç, të cilët përbëjnë 26 për qind të totalit të njësive familjare dhe është grupi dominues.
122,249 familje kishin persona të moshës 70-79 vjeç dhe përbënin 16 për qind të totalet të familjeve.
53 mijë familje kishin persona mbi 80 vjeç dhe këto përbenin 7% të totalit të njësive familjare.
Në të kundërt familjet me grup moshat më të reja janë shumë të pakët. Psh ka vetëm 30 mijë familje në grup-moshën 20-29 vjeç që përben vetëm 4 për qind të totalit të familjeve.
Vetëm 80 mijë familje kanë në përbërje të tyre grup-moshën 30-39 vjeç ose 10.6 për qind të totalit.
Siç shihet nga të dhënat e njësive familjare sipas grup-moshave vihet re rritje e numrit të tyre që kanë përbërje persona mbi 50 vjeç.
Struktura e familjeve shqiptare tregon se fenomeni i plakjes ka përparuar më shpejt se sa në treguesit zyrtar. Të dhënat e Censit 2023 tregojnë se mosha mesatare e popullsisë arriti 42.5 vite, duke u rritur me 7 vjet nga viti 2011, ku ky tregues ishte 35.5 vjet.
Faktorët ndikues të lindjeve, vdekjeve dhe migracionit ndërkombëtar dhe të brendshëm sollën ndryshimin e strukturës së popullsisë, në Censin e 2023.
Piramida e popullsisë bazuar në Censin e 2023 vjen e ngushtuar shumë poshtë për shkak të rënies së lindjeve dhe po zgjerohet në mes dhe lart nga rritja e popullsisë në moshë të vjetër.
Të dhënat tregojnë se një në pesë individë (19,7%) janë 65 vjeç e lart, krahasuar me një në nëntë individë (11,3%) në Censin e vitit 2011 dhe 7,5% në Censin e 2001.
Tranzicioni drejt një popullsie më të vjetër vihet re edhe në raportet e varësisë. Raporti i varësisë së të rinjve pësoi rënie në 24,0% nga 30,4% vlerësuar në Censin e 2011, dhe raporti i varësisë së të moshuarve pësoi rritje në 30,4% nga 16,7% në 2011.
Normat e ulëta të lindshmërisë dhe trendi në rënie, kombinuar me emigracionin e popullsisë në moshë riprodhuese solli ngushtimin e bazës së piramidës së popullsisë, shkruan “Monitor“.
LEXO EDHE: Kriza e Pensioneve – Ja si e zgjidhi Europa!