Prej datës 9 e deri më 15 tetor arti dhe kultura e Japonisë rikthehet në Shqipëri përmes aktiviteteve të ndryshme që do të organizohen në kuadër të Javës Kulturore Japoneze, pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare.
Nga festivali i filmit, workshop mbi kuzhinën dhe teknikat e origamit, një turne karateje dhe judoje dhe deri tek ceremonia e çajit, që u zhvillua sot, Java Kulturore Japoneze do të ofroje diçka për të gjithë ata që kërkojnë një përvojë autentike dhe të pasur.
Ceremonia e Çajit u zhvillua në ambjentet e Universitetit Politeknik të Tiranës. Gjatë aktivitetit të pranishmit patën mundësinë të vëzhgonin shtatë mjeshtra të ceremonisë së çajit në veprim, të shijoni çajin tradicional dhe të njiheni me ritualet e tij të veçanta.
Gjithashtu mjeshtrat e çajit Noriko Motoki, Hiroko Mitome, Yoshino Fujiu, Misuzu Nishida, Reiko Nobari, Hitomi Ishizaka dhe Noriko Akiyama, iu përgjigjen edhe pyetjeve apo kurioziteteve të të pranishmëve.
Në aktivitet nuk mungoi as Avni Ponari, Konsull i Përgjithshëm Nderi i Japonisë dhe njëherazi President i Dhomës së Tregtisë Shqipëri-Japoni (AJCCI), anëtarët e së cilës morën gjithashtu pjesë në ceremoni.
Pirja e çajit në Japoni cilësohet si ceremoni, e cila ka filluar rreth 800 vjet më parë. Murgjit budistë e përdornin çajin për t’u përqendruar në meditimet e tyre.
Japonia është ekonomia e tretë më e madhe në botë ndërsa numëron rreth 125 milionë banorë. Shteti aziatik është simboli i ndërthurjes perfekte mes tradicionales dhe teknologjisë së avancuar, të cilat vazhdojnë të bashkëjetojnë më së miri.